Rusia heton rastin e vrasjes së 11 vullnetarëve në një bazë ushtarake ruse

Moskë, 17 tetor 2022 – Rusia ka hapur një hetim penal pasi persona të armatosur qëlluan për vdekje 11 persona në një zonë stërvitjeje ushtarake pranë kufirit ukrainas, thanë autoritetet të dielën, ndërsa luftime të ashpra vazhduan në Ukrainën lindore dhe jugore.

Agjencia ruse e lajmeve RIA, duke cituar ministrinë e mbrojtjes, tha se dy persona të armatosur kishin hapur zjarr gjatë një stërvitjeje me armë zjarri të shtunën, duke vënë në shënjestër një grup që kishte dalë vullnetar për të luftuar në Ukrainë. Vetë “terroristët” siç i cilësoi ai, u qëlluan për vdekje.

Incidenti vjen një javë pasi një shpërthim dëmtoi një urë që lidh Rusinë kontinentale me Krimenë, gadishullin që ajo aneksoi nga Ukraina në 2014.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se sulmuesit ishin nga një ish-republikë sovjetike, pa dhënë detaje. Një zyrtar i lartë ukrainas, Oleksiy Arestovych, tha se dy personat ishin nga republika kryesisht myslimane e Taxhikistanit, në Azinë Qendrore dhe kishin hapur zjarr ndaj të tjerëve pas një debati për fenë.

Reuters nuk ishte në gjendje të konfirmonte menjëherë komentet e zyrtarit, ose të verifikonte në mënyrë të pavarur numrin e viktimave dhe detaje të tjera.

“Si rezultat i incidentit në një poligon në rajonin e Belgorodit, 11 persona vdiqën nga plagët me armë zjarri dhe 15 të tjerë u plagosën,” tha Komiteti Hetimor i Rusisë, duke njoftuar për hapjen e një hetimi penal, por pa dhënë detaje të tjera.

Disa media të pavarura ruse raportuan se numri i viktimave ishte më i lartë se shifrat zyrtare.

Guvernatori i rajonit të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha se mes të vrarëve apo të plagosurve nuk kishte banorë vendas.

Dy dëshmitarë i thanë më pas agjencisë Reuters se kishin parë sistemet ruse të mbrojtjes ajrore të zmbrapsnin sulme ajrore në Belgorod. Guvernatori Gladkov tha se dy persona ishin plagosur pas bombardimeve, sipas raporteve paraprake.

Ndërkohë në 24 orët deri në mëngjesin e së dielës, forcat ruse vunë në shënjestër më shumë se 30 qytete dhe fshatra në të gjithë Ukrainën, duke ndërmarrë sulme ajrore dhe me raketa, tha të dielën Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Si përgjigje, forcat ajrore të Ukrainës kryen 32 sulme, duke goditur 24 objektiva ruse.

Luftimet kanë qenë veçanërisht intensive këtë fundjavë në rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut, dhe në rajonin me rëndësi strategjike Kherson në jug, tre nga katër provincat që presidenti rus Vladimir Putin i shpalli në mënyrë të paligjshme si pjesë të Rusisë muajin e kaluar.

(Zëri i Amerikës)