Rusia intensifikon operacionet ushtarake për pushtimin e Kievit

Kiev, 25 shkurt 2022 – Rusia zgjeroi operacionet ushtarake në Ukrainë me sulme nga ajri dhe nga toka në periferi të kryeqytetit, Kiev, më 25 shkurt.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, njoftoi se Rusia rifilloi sulmet me raketa në orën 4 të mëngjesit, por trupat e saj janë ndaluar të përparojnë në shumicën e drejtimeve.

“Ata po vrasin njerëz dhe po i kthejnë qytetet paqësore në objektiva ushtarake. Është e keqe dhe nuk do të falet kurrë”, tha Zelenskiy.

Ai tha se pavarësisht humbjeve, forcat e armatosura të Ukrainës ”po e mbrojnë shkëlqyeshëm vendin kundër një prej kombeve më të fuqishme në botë”.

Mediet botërore raportojnë se në orët e para të së premtes, forcat ukrainase e rrëzuan një avion ushtarak rus që po fluturonte mbi Kiev. Avioni u përplas në një ndërtesë banimi, më ç’rast mbetrën të plagosur 8 persona.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se ushtria ukrainase e hodhi në erë një urë mbi lumin Teteriv, në Ivankiv, rreth 50 kilometra në veri të Kievit, në përpjekje për të parandaluar përparimin e një kolone të forcave ruse drejt kryeqytetit

Shefi i ushtrisë së Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi, tha të premten se ushtria e vendit po u reziston me sukses forcave ruse që po vinin nga veriu.

Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme në Ukrainë ka thënë se forcat ushtarake ruse janë duke shënjestruar dhjetëra zona të civilëve.

“Rusët kanë thënë se nuk janë duke sulmuar objektet civile, mirëpo 33 qendra civile janë goditur në 24 orët e fundit”, ka thënë Vadym Denysenko për agjencinë e lajmeve, Reuters.

Në Ivankiv rreth 80 km në veri-perëndim të kryeqytetit, trupat ukrainase i janë vënë përballë një numri “të madh” të trupave ruse që po tentojnë të përparojnë me automjete të blinduara.

Njoftohet se luftime mes trupave ukrainase dhe trupave ruse pozhvillohen edhe në afërsi të aeroportit Hostomel, në veriperëndim të Kievit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, njoftoi të premten se në mëngjes ka biseduar me kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Ai ka bërë thirrje për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe për më shumë mbështetje për Ukrainën.

“Ukraina ka nevojë për mbështetjen e partnerëve më shumë se kurrë”, tha Zelenskyy.

Të premten në Bruksel do të zhvillohet një samit i jashtëzakonshëm i NATO-s, ku do të diskutohet për reagimin e aleancës ndaj invazionit të Rusisë në Ukrainë.

(r.m.)