Rusia: Ndërhyrjet e Perëndimit mund të shpien në “destabilizimin” e Bosnjës e Hercegovinës

Moskë, 13 prill 2022 – Ambasada ruse në Sarajevë të mërkurën paralajmëroi se qëndrimi i Perëndimit mund të shkaktojë “destabilizim” në Bosnës e Hercegovinë, një ditë pasi Përfaqësuesi i Lartë në Bosnë e Hercegovinë, Christian Schmidt, e anuloi një ligj separatist të entitetit serb, Republikës Serbe.

Ky reagim pasqyron tensionet në rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit, i ndarë tradicionalisht midis Lindjes dhe Perëndimit, ku Rusia përpiqet të shtrijë ndikimin e saj.

Frika se këto tensione do të përshkallëzoheshin janë rritur që kur Kremlini e pushtoi Ukrainën, në fund të shkurtit.

I dërguari më i lartë ndërkombëtar në Bosnë e Hercegovinë, Christian Schmidt, i cili mbështetet nga Perëndimi por nuk njihet nga Moska, e pezulloi të martën ligjin për pronën që e miratoi Kuvendi i Republikës Serbe, i cili shihet si përpjekje për bartjen e pronës shtetërore në territorin e këtij entiteti.

Që nga përfundimi i luftës së viteve 1992-1995, Bosna e Hercegovina përbëhet nga dy entitete gjysmë të pavarura: Federata Myslimano-Kroate dhe Republika Serbe. Ato kanë institucione të përbashkëta qendrore, por secila prej tyre e ka edhe qeverinë e vet.

Sipas ligjit të pezulluar, i cili do të hynte në fuqi të enjten, entiteti serb do të merrte në pronësi pronën e shtetit të Bosnës e Hercegovinës.

Ambasada ruse në Sarajevë e cilësoi lëvizjen e Schmidtit si “të paligjshme” dhe bëri thirrje për anulimin e tij nga bordi drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes, organ ndërkombëtar që e mbikëqyr ende procesin e paqes në Bosnë e Hercegovinë.

“E gjithë përgjegjësia për një destabilizim të mundshëm në Bosnë e Hercegovinë do të bjerë mbi përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

Përveç Rusisë, anëtarë të bordit janë Franca, Italia, Japonia, Kanadaja, Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik, e përfaqësuar nga Turqia.

Rusia nuk e njeh legjitimitetin e Schmidt, duke argumentuar se emërimi i tij duhet të ishte miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Në dhjetor të vitit që shkoi, Republika Serbe inicoi një proces për tërheqjeje nga ushtria e përbashkët e vendit, nga gjyqësori dhe nga sistemi i taksave. Ajo ngjalli frikën se vendi mund të shpërbëhej apo edhe se mund të fillonte një konflikt i ri.

(Sipas REL)