Rusia nis operacionin ushtarak në pjesën lindore të Ukrainës

Moskë / Kiev, 24 shkurt 2022 – Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të enjten fillimin e “një operacioni special ushtarak” në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës, duke pretenduar se “synon të mbrojë civilët”.

Në një fjalim televiziv herët në mëngjes me orën e Moskës, Putin tha se “ky veprim vjen si përgjigje ndaj kërcënimeve që vijnë nga Ukraina”.

Ai tha se Rusia nuk ka qëllim të pushtojë Ukrainën, dhe se përgjegjësia, nëse do të ketë gjakderdhje, i takon “regjimit ukrainas”, sipas tij. Presidenti rus paralajmëroi vendet e tjera se çdo përpjekje për të ndërhyrë do të shkaktonte “pasoja që ata nuk i kanë parë kurrë”.

Presidenti Putin akuzoi SHBA-në dhe aleatët perëndimorë se kanë injoruar kërkesën e Rusisë për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe për t’i ofruar Moskës “garanci sigurie”.

Ndër të tjera, ai tha se “operacioni ushtarak rus synon të sigurojë çmilitarizimin e Ukrainës”.

Sipas tij, të gjithë ushtarët ukrainas që do të dorëzojnë armët do të jenë në gjendje të largohen të sigurt nga zona e luftimit.

Të mërkurën, Kremlini tha se rebelët në Ukrainën lindore i kërkuan Rusisë ndihmë ushtarake “për të shmangur agresionin ukrainas”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, reagoi menjëherë dhe i hodhi poshtë pretendimet e Moskës se vendi i tij përbën një kërcënim për Rusinë.

“Populli i Ukrainës dhe qeveria e Ukrainës duan paqe”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në një fjalim emocional të mërkurën natën vonë.

ZelensKyy foli dhe në rusisht duke i bërë një thirrje të drejtpërdrejtë qytetarëve rusë.

Ai tha se ai kishte kërkuar të bisedonte në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin, por Kremlini nuk iu përgjigj.

Të enjten, pas sulmit ushtarak rus në lindje të vendit, Presidenti Zelenskyy e shpalli ligjin ushtarak, ndërsa qytetarëve u bëru thirrje që të mos bëjnë panik. Ai tha se Rusia ka vënë në shënjestër infrastrukturën ushtarake të Ukrainës dhe se shpërthime janë dëgjuar në mbarë vendin.

Ministria e Brendshme e Ukrainës njoftoi se shtatë ushtarë ukrainas u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore të ushtrisë ruse.

“Mjetet e mbrojtjes ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës janë goditur”, njoftoi ministria e Brendshme e Ukrainës.

(Sipas Zërit të Amerikës)