Rusia sulmon me raketa rajonin e Odesës në Ukrainë

Kiev, 17 nëntor 2022 – Rusia kreu të enjten një sulm në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa.

Guvernatori rajonal i Odesës, Maksym Marchenko, njoftoi se u godit një ndërtesë dhe paralajmëroi për kërcënimin “një breshëri masive raketore në gjithë territorin e Ukrainës”.

Mediet në Ukrainë raportuan për shpërthime në pjesë të tjera të Ukrainës, kurse guvernatorët rajonalë u bënë thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimoret e bombave.

Shpërthimi i së enjtes pason një breshëri të sulmeve të kryera të martën.

Dy raketa të prodhimit rus kanë rënë të martën në Poloni, ku janë vrarë dy persona. Sipas hetimeve të para, raketat janë shkrepur nga forcat e mbrojtjes kundërajrore ukrainase që kanë goditur gabimisht në territorin e Polonisë.

Ky incident është duke u hetuar nga ekspertë ushtarakë.

Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në fund të shkurtit.

Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin dhe vazhdon ta ndihmojë me armë Ukrainën. Ndërkaq ndaj Rusisë ka vendosur sanksione të ashpra, me qëllim që të dobësojë ushtarakisht dhe ekonomikisht.

(r.m.)