Rusia tha se i ka arrestuar 11 të dyshuar lidhur me sulmin në Moskë ku u vranë mbi 130 persona

Moskë, 23 mars 2024 – Autoritetet ruse njoftuan se i kanë arrestuar 11 persona të dyshuar lidhur me sulmin e armatosur në një sallë koncertesh në Moskë, ku e humbën jetën mbi 130 persona. Komiteti Hetues i Rusisë tha se katër nga të arrestuarit ishin të përfshirë drejtpërdrejt në sulm.

“Katër të dyshuarit u ndaluan në rajonin Bryansk të Rusisë perëndimore, jo shumë larg kufirit me Ukrainën”, tha Komiteti Hetues i Rusisë.

Ministria e Brendshme e Rusisë tha se katër të dyshuarit janë shtetas të huaj.

Duket se autoritetet ruse synojnë ta fajësojnë Ukrainën. Menjëherë pas sulmit, disa ligjvënës rusë e drejtuan gishtin nga Ukraina.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të shtunën se katër nga sulmuesit e dyshuar janë arrestuan derisa po tentonin të kalonin kufirin drejt Ukrainës. Sipas tij, pala ukrainase ishte përgatitur për t’i lënë ata ta kalonin kufirin, por nuk paraqiti asnjë provë për këtë pretendim.

Ai e cilësoi sulmin si “goditje kundër Rusisë”, duke e përdorur termin “nazist”, me të cilin ai e kishte etiketuar udhëheqjen shtetërore të Ukrainës për të justifikuar agresionin e Rusisë ndaj këtij vendi.

“Ashtu si nazistët që dikur kryen masakra në territoret e pushtuara, ata planifikuan të organizonin një akt të përgjakshëm frikësimi. Të gjithë autorët, organizatorët dhe ata që urdhëruan këtë krim do të dënohen dhe askush nuk do t’i shmanget drejtësisë. Kushdo që të jenë ata, kushdo që i drejton, e përsëris, ne do të identifikojmë dhe ndëshkojmë të gjithë ata që qëndrojnë pas terroristëve, që përgatitën këtë mizori, këtë goditje kundër Rusisë, kundër popullit tonë”, u shpreh Putin.

Autoritetet ukrainase i hodhën poshtë kategorikisht pretemndimet e Moskës.  Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit Volodymyr Zelenskyy, e mohoi çdo përfshirje të Ukrainës në këtë sulm.

“Ukraina kurrë nuk ka përdorur metoda terroriste. Gjithçka në këtë luftë do të vendoset vetëm në fushën e betejës”, ka shkruar Podolyak në platformën X.

Por, përgjegjësinë për sulmin e mori një degë e Shtetit Islamik. Një zyrtar i zbulimit amerikan ka thӕnë për agjencinë e lajmeve Associated Press se agjencitë amerikane të zbulimit kanë konfirmuar se përgjegjës për sulmin ishte grupi që pranoi këtë.

Shteti Islamik e publikoi të shtunën në rrjetin Telegram një fotografi të katër personave që thuhet se ishin autorët e sulmit në Moskë, por vërtetësia e kësaj fotografie nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fillim të këtij muaji, kishin paralajmëruar për rrezikun e një sulmi terrorist në Moskë. Ambasada amerikane në kryeqytetin rus u kishte bërë thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin tubimet dhe manifestimet publike.

Një zyrtar i zbulimit amerikane i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se zyrtarët amerikanë kishin ndarë privatisht me zyrtarët rusë informacione se dega e Shtetit Islamik në Afganistan po planifikonte sulme në Moskë. Ky zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht, tha se paralajmërimet e zyrtarëve amerikanë nuk u morën seriozisht nga zyrtarët rusë.

(r.m.)