Rusja Svetlana Timofeeva, e arrestuar në Gramsh, “kupton dhe flet shqip”

Tiranë, 18 dhjetor 2022 – Shtetasja ruse Svetlana Timofeeva, që prej një muaji ka dalë nga spitali i burgut, ndodhet në burgun e grave në IEVP Ali Demi (325).

Timofeeva, e cila u arrestua nën akuzën se është spiune ruse, qëndron e vetme në një dhomë të veçantë izolimi dhe me siguri të veçantë.

Që prej ditës që ndodhet në qelinë e burgut, Timofeeva i ka pasur dy takime me përfaqësues të ambasadës ruse dhe ka pasur të drejtë të bëjë 4 komunikime me skype.

Burime kofidenciale i thanë News24 se shtetasja ruse kupton dhe shprehet edhe në gjuhën shqipe.

Timofeeva, që kur u arrestua, më 20 gusht, qëndroi në spitalin e burgut pasi, sipas mbrojtjes së saj, ajo kishte probleme shëndetësore, si çrregullime të ankthit. 33-vjeçarja qëndroi 3 muaj në spitalin e burgut dhe një grup sigurie nga burgu i grave qëndroi në spitalin e burgut për ruajtjen e sigurisë së ruses.

Kujtojmë që Prokuroria e Elbasanit ka regjistruar tri akuza për çështjen e rusëve dhe ukrainasit që hynë në uzinën e Gramshit dhe e ka dërguar dosjen për gjykim. Bëhet fjalë për nenin 214, “sigurimi dhe dhënia e informacioneve ushtarake një shteti të huaj, me qëllim cenimin e pavarësisë”, nenin 237 “goditje për shkak të detyrës dhe mbajtje e armëve të ftohta pasi mbajtja e neuropalizuesve profesionale futet tek armët e ftohta”, si dhe nenin 279 “Mbajtja, blerja apo shitja në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, e armëve të ftohta.”.

(BalkanWeb)