Rutte: Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s

Bruksel, 10 shtator 2025 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë është e rrezikshme, pavarësisht nëse ishte e qëllimishme apo e paqëllimshme.

Rutte I ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të ndalojë luftën në Ukrainë dhe përshkallëzimin e saj. Ai ka theksuar se NATO është vigjilente dhe do ta mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.

“Për Putinin, mesazhi im është i qartë: ndaloni luftën në Ukrainë, ndaloni përshkallëzimin e luftës, të cilën ai tani po e ngre në thelb mbi civilët e pafajshëm dhe infrastrukturën civile, dhe ndaloni shkeljen e hapësirës ajrore aleate. Dijeni se ne jemi të gatshëm, se jemi vigjilentë dhe se do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, ka deklaruar Rutte.

Ai ka thënë se e konsideron “shumë të suksesshme” përgjigjen e mbrëmshme të mbrojtjes polake ndaj cenimit të hapësirës së saj nga dronët rusë.

“Ne gjithmonë duhet të sigurohemi që jemi një hap përpara, por mendoj se mbrëmja e kaluar tregoi se jemi në gjendje të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, duke përfshirë, sigurisht, hapësirën ajrore të saj”, ka shtuar Rutte.

(r.m.)