Tiranë, 11 qershor 2026 – Partia Demokratike (PD) e Shqipërisë njoftoi se Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka hequr kryetarit të kësaj partie, Sali Berishës, ndalesën që të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Berisha e konfirmoi këtë me një deklaratë triumfale, me të hyrë në sallën e Kuvendit.
“Unë erdha, u krye”, u shpreh ai.
Berisha nuk tregoi se nga kush i është komunikuar ky njoftim. Ai tha se nuk ka qenë kurrë “non grata”, por kishte një ndalesë për lëshimin e vizës.
“Sali Berisha nuk ka qenë kurrë ‘non grata’. Ka pasur një sanksion – vizën. Kundërshtarët e mi e quajtën ‘non grata’ dhe unë nuk është se e kundërshtova”, tha Berisha.
Drejtori i komunikimit në PD, Alfred Lela, ka thwnw se Berishës i është komunikuar vendimi pwr heqjen e ndalesws nga një përfaqësues i DASH-it.
“Ka pasur një telefonatë nga një përfaqësues i Departamentit amerikan të Shtetit pasi ka marrë edhe një formë dokumentare të lajmit, një dokument ku citohej se non grata ose sanksioni nuk është më dhe se zoti Berisha është i lirë të udhëtojë në SHBA dhe me të gjitha gjërat që kjo sjell më vete“, ka thënë Lela.
Sipas tij, heqja e ndalesës i rrëzon justifikimet e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, se Berisha ishte sanksionuar për, siç thuhej, “korrupsion madhor” dhe “minim të sigurisë” së SHBA-së.
“Heqja e non gratës e dekodon edhe tekstin. Sepse pretendimi apo po themi formulimi i certifikatës së non gratës ka qenë për korrupsion madhor dhe minim të sigurisë së SHBA. Rënia e non gratës tregon se nuk ka qenë as njëra as tjetra. Pra, nuk i është gjetur ndonjë provë e korrupsionit dhe nuk ka minuar sigurinë e SHBA-së. ‘Non grata’ ka rënë bashkë me atë tekst për të cilin është ngritur. U ngrit nga Blinken e të tjerë gjëra që kemi stërthënë dhe ato që pretendoheshin nuk ekzistojnë”, ka theksuar Lela.
“Berisha i mbijetoi dy vettingjeve 35 vjeçare nga këta tanët nga drejtësia e re e këtushme dhe nga makineria e vettingut amerikan se ai dokumentacion ka qenë në zyrat atje për shumë gjatë dhe fakti që ra tregon se non grata ka qenë strukturë politike me qëllim të goditjes politike të liderit të opozitës”, ka shtuar Lela.
Më 19 maj të 2021, DASH-i ia kishte ndaluar Berishës dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte thënë se Berisha, në cilësinë e zyrtarit të lartë të shtetit, sidomos në cilësinë e kryeministrit, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.
Sipas DASH-it, Berisha e kishte përdorur pushtetin e tij për përfitime personale dhe për të pasuruar anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë. Për këtë arsye, Berishës, bashkëshortes së tij, Liries, djalit Shkelzenit dhe vajzës, Argitës i ishte ndaluar hyrja në SHBA.
Vendimi i DASH-it pati ndikim edhe në planin politik. Në shtator të vitit 2021, kryetari i atëhershëm i PD-së, Lulzim Basha, e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, me arsyetim se ky ishte një vendim për të ruajtur marrëdhëniet me SHBA-në. Por, Berisha e mobilizoi anëtarësinë e PD-së dhe u rikthye në krye të partisë.
Pas vendimit të DASH-it, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, filloi hetimet ndaj Berishës, në bazë të dyshimit se gjatë kohës që kishte qenë kryeministër, e kishte përdorur ndikimin e tij për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin, në privatizimin e pronës së kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.
Në shtator 2024, dosja e Berishë kaloi për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), kurse procesi gjyqësor, i cili filloi në korrik të vitit 2025, është ende në vijim.
Berisha i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat kundër tij duke i cilësuar ato si “të motivuara politikisht”.
(r.m.)