Sami Lushtakut i konfiskohet telefoni nga Prokuroria Speciale në Hagë

Prishtinë, 8 mars 2024 – Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është ndaluar nga policia e Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, të premten në mbrëmje, prej nga është liruar pas pak kohësh.

Avokati i tij, Artan Qerkini, ka njoftuar se Lushtaku nuk është intervistuar, por atij i është konfiskuar telefoni.

“Sami Lushtaku nuk është intervistuar në zyrat e EULEX-it,vetëm i është konfiskuar telefoni. Nuk e dimë pse se nuk na kanë dhënë arsye”, ka thënë Qerkini.

Ai e ka cilësuar akt të kundërligjshëm konfiskimin e telefonit, sepse Lushtaku nuk është ndaluar në cilësinë e të dyshuarit.

“Sami Lushtaku nuk e ka statusin e të dyshuarit, prandaj atij i është cenuar privatësia pasi i është marrë telefoni”, ka thënë Qekini.

Ai ka paralajmëruar se për këtë akt të kundërligjshëm do të bëjë ankesë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gjykata Speciale në Hagë ka thënë se në kuadër të autorizimeve të saj po kryen operacione të vazhdueshme, por ka dhënë më shumë detaje.

Gjatë luftës në Kosovë, Sami Lushtaku ka qenë komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Zonën e Drenicës.

Të enjten, me urdhër të Dhomave të Specializuara në Hagë është bastisur shtëpia e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi. Avokati Qerkini ka bërë të ditur se bastisja është kryer për “pengim të administrimit të drejtësisë”, por nuk mund të thotë nëse policia ka gjetur apo ka konfiskuar ndonjë dokument apo provë të vlefshme për Prokurorinë e Specializuar.

Vitin e kaluar, me urdhër të Dhomave të Specializuara, si të dyshuar për “pengim të administrimit të drejtësisë” janë arrestuar dhe janë transferuar në Hagë ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, dhe ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj.

Po me urdhër të Dhomave të Specializuara janë basisur edhe shtëpitë e disa ish-bashkëpunëtorëve të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili është në mesin e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës në Kosovë.

(r.m.)