Samiti i Diasporës: Lazim Destani tregon shembullin e kompanive të tij që investuan edhe në vendlindje

Afaristi Lazim Destani, ka marrë pjesë në aktivitetet e ditës së dytë të Samitit të III të Diasporës i cili u zhvilluar në Tiranë.

Edhe këtë vit, qëllimi i Samitit ishte afrimi i diasporës me atdheun dhe rritja e investimeve të diasporës në vendet tona.

Destani e ka cilësuar Samitin si një traditë të mirë, e cila u jep mundësi për të mbledhur përfaqësues dhe zyrtarë nga diaspora në gjithë botën.

“Ishte kënaqësi pjesëmarrja dje në aktivitetet e ditës së dytë të Samitit III të Diasporës. Mbajtja e këtyre aktiviteteve në Tiranë tregoi se tashmë kjo ngjarje e përvitshme është bërë një traditë e bukur dhe me peshë duke mbledhur përfaqësues dhe zyrtarë nga mërgata jonë në gjithë botën, nga trojet tona, si dhe perfaqësues të biznesve tona në mbarë botën”, ka shkruar Destani

Destani në fjanën e tij në tryezën “Diaspora Shqiptare për Zhvillimin e Qëndrueshëm”, ka shpalosur ide se si mund të jemi më produktiv, se si në bashkëpunim me institucionet e vendeve tona, mund të investohet më shumë.

“Në fjalën time theksova se vendet tona i kanë të gjitha mundësitë dhe resurset t’u ofrojë bizneseve të diasporës standardet dhe nivelin e vendeve tjera perëndimore, me qëllim lehtësimin dhe krijimin e mundësive që nga diaspora të vijë kapitali pa pengesa e burokraci.Gjithashtu, dhashë dhe shembullin e kompanive që drejtojmë ne, se si potenciali i ekspertëve shqiptarë në diasporë, është shumë e rëndësishme të shfrytëzohet në dobi të vendeve tona”, është shprehur ai.

Destani në fund uroi që Samiti i Diasporës të mos mbetet vetëm një aktivitet i bukur mbarëshqiptar, por konkluzionet e tij të kthehen në plan pune për qeveritë e vendeve tona, në të mirë të zhvillimit ekonomik të tyre.

“Sipas propozimit që bëra, shpresoj qytetet nikoqire të Samiteve të ardhshme të jenë Prishtina, Shkupi apo ndonjë qendër tjetër e rajonit tonë”, ka thënë Destani.