Sapo keni marrë green card-ën – Si ta sillni familjen në SHBA

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Përshëndetje Z. Avokat:

E fitova çështjen në gjyq dhe sapo më kanë dhënë green card-ën. Dëshiroj të sjell familjen në SHBA. Çfarë të bëj? 

Faleminderit,

BH

Miami, FL

Paraqitja e formularit I-130, Petition for Alien Relative, përbën hapin e parë për të ndihmuar një të afërm që përmbush kriteret përkatëse, që të aplikojë për të emigruar në Shtetet e Bashkuara si dhe për të marrë green card. Megjithatë, thjesht paraqitja ose miratimi i këtij peticioni nuk i jep të afërmit tuaj as status emigracioni dhe as ndonjë përfitim të kësaj natyre. Si rregull, Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS-i) e miraton një formular I-130 sa kohë që ju vetë jeni në gjendje të tregoni që mes jush dhe të afërmit tuaj egziston një lidhje që përmbush kriteret përkatëse për emigrim në Shtetet e Bashkuara. Zakonisht, në momentin që USCIS-i aprovon peticionin, i afërmi mund të aplikojë menjëherë për green card. Nëse i afërmi juaj gjendet në Shtetet e Bashkuara dhe egziston një vizë për të, ai ose ajo mund të kualifikohen për të marrë green card nëse paraqesin formularin përkatës I-485, Application to Register Permanent Residence or Adjust Status

Disa të afërmve të caktuar do t’u duhet të presin përpara se të paraqesin formularin I-485 për ndreqje statusi, derisa t’u vihet në dispozicion një numër vize (nëse ndodhen në SHBA), ose një vizë (nëse gjenden jashtë SHBA-së). Megjithatë, për anëtarin e familjes që kualifikohet si i afërm i ngushtë, egziston gjithnjë një vizë emigruese në dispozicion. Termi “i afërm i ngushtë” mund t’ju ngatërrojë pak, pasi zakonisht mendojmë se të gjithë në familjen tonë janë të afërm të tillë. Por sipas ligjit amerikan të emigracionit, me të afërm të ngushtë nënkuptohet bashkëshortja/i e/i një nënshtetasi/eje amerikan/e, fëmija i pamartuar nën moshën 21 vjeç i një nënshtetasi/eje amerikan/e, ose prindi i një nënshtetasi/eje amerikan/e kur ky i fundit është të paktën 21 vjeç. Të afërmit e ngushtë, pas aprovimit të peticionit I-130, nuk ka nevojë të presin që të bëhet e disponueshme viza.

Të afërm të tjerë të një nënshtetasi të SHBA-së ose të afërm të një banori të përhershëm të ligjshëm (person me green card) mund të fitojnë statusin e tyre nën kategorinë preferenciale që ka për bazë bashkimet familjare. Këta të afërm janë anëtarë të familjes së një nënshtetasi amerikan, djem ose vajza të pamartuar të një nënshtetasi amerikan, 21 vjeç e lart, djali ose vajza e martuar e një nënshtetasi amerikan si dhe vëllezërit ose motrat e një nënshtetasi amerikan që është të paktën 21 vjeç.

Anëtar familjeje i një banori të përhershëm të ligjshëm (personi që ka green card), nënkupton: Bashkëshorti i një banori të përhershëm të ligjshëm (green card), fëmijë i pamartuar nën moshën 21 vjeç të një banori të përhershëm të ligjshëm (green card), djali ose vajza e pamartuar e një banori të përhershëm të ligjshëm 21 vjeç e lart (green card). Këta të afërm, pas miratimit të peticionit I-130,  duhet të presin që të vihet një vizë në dispozicion të tyre. Periudha e pritjes për secilën nga këto kategori të afërmish është e ndryshme.

Nëse i afërmi juaj gjendet tashmë në Shtetet e Bashkuara, por nuk kualifikohet për të marrë green card thjesht duke plotësuar Formularin I-485, qoftë për shkak të mungesës së një vize në dispozicion të tij ose të saj ose qoftë për ndonjë arsye tjetër, ai ose ajo mund të aplikojnë për një vizë emigruese pranë Departamentit të Shtetit të SHBA-së në ambasadën ose konsullatën amerikane në vendin e tyre.

Kur të plotësoni formularin I-130, sigurohuni që ju vetë (si peticioner) të zgjidhni vetëm njërin nga opsionet kur të tregoni që përfituesi synon të aplikojë për ndreqje të statusit brenda Shteteve të Bashkuara ose synon të ndjekë procesimin e vizës jashtë vendit. Nëse formulari I-130 është ende në pritje të një vendimi nga USCIS-i dhe keni dëshirë të ndryshoni zgjedhjen tuaj (nga procesim konsullor jashtë vendit në ndreqje statusi në Shtetet e Bashkuara ose e anasjellta), mund të kontaktoni Qendrën e Kontaktit të USCIS-it (Contact Center) dhe t’i kërkoni të bëjë këtë ndryshim. Nëse dëshironi të ndryshoni zgjedhjen tuaj pasi USCIS-i të ketë miratuar formularin, atëherë mund t’ju duhet të paraqisni formularin I-824, Application for Action on an Approved Application or Petition.

Keni 2 opsione për të paraqitur peticionin tuaj I-130 pranë USCIS-it: online ose me postë (letër). Vendi ku do ta dërgoni formularin I-130 varet nga vendi ku jetoni dhe nga fakti nëse jeni ose jo duke e dorëzuar peticionin në të njëjtën kohë me formularin I-485, Application to Register Permanent Residence or Adjust Status. Mund ta “dorëzoni” formularin I-130 në internet edhe në rastin kur i afërmi juaj është në Shtetet e Bashkuara dhe do ta dorëzojë formularin I-485 me postë. Pasi të dorëzoni formularin tuaj I-130 në internet, USCIS-i do t’ju dërgojë një njoftim që e ka marrë formularin në fjalë, në llogarinë tuaj të USCIS-it në internet. Jepini të afërmit tuaj një kopje të njoftimit në fjalë që ta përfshijë në paketën e dokumentave të formularit I-485. Nëse e dërgoni me postë formularin I-130, atëherë duhet ta dorëzoni në “lockbox-in” përkatës në Chicago, Dallas, Elgin ose Phoenix, në varësi të vendit ku jetoni si dhe të faktit që i afërmi juaj po dërgon gjithashtu, njëkohësisht me ju, formularin I-485. Për një listë të plotë të adresave, vizitoni faqen përkatëse të adresave (Direct Filing Addresses) për dërgimin e formularit I-130 në: https://www.uscis.gov/i-130-addresses. Tarifa e depozitimit është 535 dollarë dhe i paguhet Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]