Prishtinë, 11 prill 2024 – Tri javë pas vizitës së fundit në Kosovë, emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka ardhur në një tjetër vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë.
Zhvillimet e fundit në veri thotë se e sollën sërish këtu, derisa për to dhe Asociacionin, i dërguari i kancelarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, ka diskutuar me gazetarë të enjten.
Për Asociacionin dhe mundësinë që mos themelimi i tij të bëhet pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, diplomati gjerman tha se shteti i tij ende nuk ka një qëndrim.
“Qeveria gjermane nuk ka ende qëndrim për raportin e Bokayanis, është procedura tutje e votimit të Këshillit dhe pastaj do t’i marrim të gjitha në konsideratë. Por, ju e thatë ka lidhje dhe Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe është përmendur si çështje dhe ne do ta konsiderojmë atë por Qeveria e Gjermanisë ende nuk ka pozicion për këtë”, ka thënë Sarrazin.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, Sarrazin tha se e konsideron tani kohën e duhur që të vazhdohen tutje hapat për krijimin e Asociacionit.
“Të gjithë e dinë se shumë vende mos johëse brenda BE-së shikojnë kah Asociacioni i komunave me shumicë Serbe, por unë nuk mund t’ju them se çfarë ato do të bëjnë nëse kjo kryhet ose jo sepse nuk është puna ime. Gjermania njeh Kosovën por edhe ne jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet, veçanërisht tani dhe të shkohet tutje. Mund të llogarisni në Gjermaninë, ne kurrë nuk do të përkrahim ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës. Por, moskrijimi i Asociacionit nuk çon drejt BE-së”, ka shtuar Sarrazin.
Gjatë vizitës, Sarrazin ka takuar presidenten Vjosa Osmani, shoqërinë civile dhe Listën Serbe, derisa Kurtin tha se do ta takojë pas bashkëbisedimit me gazetarë.
Nga takimi me Listën Serbe thotë se nuk doli me ndonjë ide të qartë se si ky subjekt serb mund të tërhiqet nga vendimi për të bojkotuar votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore më 21 prill.
“Ky takim nuk më dha shenja të qarta të cilat do të më jepnin idenë se cili do të ishte kompromisi”, ka shtuar emisari gjerman.
Por, i pyetur rreth lobimit të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE, diplomati gjerman refuzon të vlerësojë cila palë po e shkelë atë, por e ka të qartë se një gjë të tillë nuk e lejon marrëveshja mes palëve.
“Unë nuk jam në pozitën e referit që të vendos kush po e shkel marrëveshjen e kush jo. Por, sipas pikëpamjes time dhe asaj si e lexoj marrëveshjen e Ohrit, Serbia nuk duhet të pengoj Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë më tej Sarrazin.
Për marrëveshjen, Sarrazin shtoi se të dyja shtetet duhet t’i kryejnë obligimet e tyre.