Sarrazin: Rruga që po e ndjek Kurti mund të mos jetë e mirë për interesin e Kosovës

Tiranë, 2 mars 2024 – I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin veprime konkrete për përfundimin me sukses të dialogut për normalizim të marrëdhënieve midis tyre.

  1. Sarrazin e ka kritikuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mungesën e bashkërendimit të veprimeve me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropioan. Ai ka thënë se kjo sjellje e Kurtit mund të mos jetë në interes të Kosovës.

“Rruga në të cilën po ecën qeveria e zotit Kurti në dialog, në planin afatgjatë, kam frikë se mund të mos jetë e mirë për interesin e Kosovës, për afrimin me Bashkimin Evropian. Kam frikë se kjo mund të çojë më shumë në drejtim të mbështetjes tek vetja dhe të humbjes së mundësive për të shkuar drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Sarrazin në një intervistë për Abcneës.al.

Emisari gjerman në Ballkanin Perëndimor u bëri thirrje liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që të mos e përdorin të kaluarën për të nxitur ndjenjat nacionaliste, por të punojnë së bashku për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

(r.m.)