Sazani – perla shqiptare që e dëshiron Ivanka Trump

Nga BETA

Benito Mussolini e dëshironte dhe ndërtoi një shtëpi atje, Enver Hoxha e shndërroi në bazë ushtarake të shkëputur nga bota, kurse sot Ivanka Trump dëshiron ta kthejë ishullin shqiptar të Sazanit në bunker për milionerët, me vila luksoze dhe me pamje të lënë pa frymë.

Vajza e Donald Trumpit dëshiron ta transformojë një pjesë të historisë me bekimin e qeverisë shqiptare, për të cilën turizmi është gurthemeli i zhvillimit të vendit. Nëse projekti i saj realizohet, kompleksi do t’i ketë disa dhjetëra vila të ngulitura në shkëmbinjtë e Sazanit.

Ka mbetur të merren edhe disa leje, por në breg thuhet se kjo është punë e kryer.

“Ne nxitojmë që kjo të nisë sepse kjo nxit një reaksion zinxhiror për ekonominë e qytetit”, tha kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, duke folur në shëtitoren ku janë ndërtuar hotelet që kur Shqipëria është kthyer në destinacionin e ri turistik në këtë anë të Mesdheut. Një milion turistë kanë arritur në Tiranë në muajin korrik.

Në Sazan nuk ka dyqane të pajisjeve të plazhit apo restorante me meny në shumë gjuhë. Aktlualisht në këtë ishull nuk ka asgjë.

Fiq të egër, mana, pisha të gjelbëtra të ndezura dhe ujë bruz. Në mes të asaj parajse pa ujë e rrymë, mijëra bunkerë, rrënoja ndërtesash dhe këngë shurdhuese gjinkallash.

Ato rrënoja janë gjithçka që ka mbetur nga banesat e mijëra ushtarëve që kanë qenë aty gjatë kohës së  diktaturës socialiste të Enver Hoxhës, një nga më të egrat, më të mbyllurat dhe paranojaket në botë. Në ato 5.7 kilometra katrorë jetonin më shumë se 2000 ushtarakë me gra dhe fëmijë. Kishte një kinema, një shkollë, një spital dhe furnizime për të qëndruar të shkëputur nga bota gjashtë muaj, ndërsa pjesës tjetër të Shqipërisë i mungonte gjithçka.

Ili Mecaj (78) është njëri nga ushtarët e Sazanit. Ai i ka kaluar atje 18 vjet të jetës së tij, atje kanë lindur fëmijët e tij dhe ka dhënë mësim gruaja e tij. Ai ishte larguar nga ishulli pak muaj para rënies së regjimit për të cilin, si njëri nga të fundit, është ende nostalgjik.

Pjesa dërrmuese e popullatës shqiptare të asaj kohe kujton varfërinë, emigracionin e fshehtë me çmimin e jetës dhe survejimin.

“Kanë qenë 2840 bunkerë me mitralozë të rëndë dhe me armë të tjera automatike. Ka pasur edhe tunele dhe instalime nëntokësore, strehimore për ruajtjen e municioneve dhe të ushqimeve”, thotë Mecaj.

Pas rënies së regjimit, ishulli i shpëtoi shkatërrimit, por gjatë kolapsit të ekonomisë shqiptare, në vitin 1997, të gjitha rezervat dhe magazinat ushtarake që ndodheshin aty u grabitën. Ajo u rihap për publikun tek në vitin 2015.

Ishulli gjendet në një pikë stretegjike në hyrje të Kanalit të Otrantos që i lidh detin Adriatik dhe detin Jon. Ai ka qenë si port për të gjithë ata që e kanë pushtuar: bizantinët, venedikasit, gjermanët dhe italianët.

Ndonëse administrativisht konsiderohet ende si zonë ushtarake, gjatë sezonit veror ajo vizitohet çdo ditë nga turistët që vijnë me varka për të vizituar shtigjet gjarpërore  dhe mrekullohen me të vetmin banor të ishullit: një gomar të vogël të përhimtë.

Nuk janë zbuluar detaje të planit për ndërtimin e hotelit luksoz të familjes Trump. Disa plane janë postuar në Instagram dhe disa paralajmërime u bënë në një intervistë në muajin korrik.

Ivanka Trump tha se izolimi i ishullit e bën atë një perlë, por edhe kokëdhembje logjistike.

“Sjellja e materialeve në ishull nuk është punë e lehtë, por ne do ta bëjmë këtë”, premtoi vajza e ish-presidentit amerikan dhe kandidatit të tanishëm për president, të gjitha me “arkitektët më të mirë”.

Nëse realizohen planet e Ivanka Trump dhe burrit të saj, askush nuk di nëse turistët do të lejohen edhe më tutje të ndalojnë atje. Ose bunkerët do të marrin një pamje tjetër, pamje të vilave luksoze të mbrojtura nga kureshtarët.

(Danas.rs)