Sarajevë, 11 korrik 2023 – Zyra e përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë u ka bërë thirrje zyrtarëve që të vazhdojnë të ndjekin penalisht përgjegjësit për mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, teksa shteti shënon 28-vjetorin e vrasjes së mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në Srebrenicë.
Përmes një mesazhi drejtuar politikanëve në Republika Sërpska – entitetit serb – përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, tha se zyra e tij është e gatshme të përdorë të gjitha mjetet për të ndihmuar Bosnjën që të ngrehë padi kundër mohuesve të gjenocidit.
“Është e qartë që ne duhet të kemi hapa vendimtarë nga Prokuroria”, tha Schmidt gjatë homazheve në Potoçari, ku gjenden varrezat e viktimave të gjenocidit.
“Ata që e mohojnë gjenocidin, kudo që jetojnë apo gjenden, po kryejnë vepër penale sepse me ndryshimet në ligj, të bëra dy vjet më parë nga paraardhësi im, Valentin Izko, thuhet se mohimi i gjenocidit është vepër penale. Mos harroni se ky ligj vlen në mbarë Bosnje e Hercegovinën”, paralajmëroi ai.
Vrasjet në Srebrenicë ishin vetëm një episod i luftës në Bosnje më 1992-1995 që la të vrarë afër 100.000 persona. Ngjarjet në Srebrenicë janë njohur si gjenocid nga dy gjykata të Kombeve të Bashkuara.
Zyrtarët e Serbisë dhe zyrtarët serbë në Bosnje – përfshirë edhe liderin aktual të Republikës Sërpska, Millorad Dodik – refuzojnë që ta pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.
Gjatë ceremonisë së 11 korrikut u varrosën mbetjet mortore të 30 viktimave. Mbetjet e tyre u gjetën në varreza masive në lindje të Bosnjës.
(REL)