Scholz: Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do të jetë më vetëm fjalë

Berlin, 15 tetor 2022 – Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, u është përgjigjur kritikave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj Bashkimit Evropian, lidhur me integrimin në union të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në Kongresin e Partive të Socialistëve dhe Demokratëve Evropian që u zhvillua në Berlin, Scholz ka thënë se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do të bëhet më vetëm me fjalë, por edhe me vepra.

“Ka 20 vjet që vendet e Ballkanit Perëndimor janë kandidatë për në BE. Por, pas kaq kohësh kjo nuk do të bëhet vetëm me fjalë, por edhe me vepra.”, ka thënë Scholz.

“Edi, sapo thash se ne u qëndrojmë në krah vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai duke iu drejtuar Ramës.

Edi Rama e ka kritikuar vazhdimisht Bashkimin Evropian për mospranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këtë e ka bërë edhe në Kongresin e Partive të Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë në Berlin.

(r.m.)