Scholz kërkon “hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit në kuadër të aplikimit për nëtarësim në KE”

Berlin, 29 prill 2024 – Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Zyra e Kancelarit gjerman bëri të ditur se kancelari Scholz e ka bërë këtë gjatë bisedës telefonike me Kurtin, duke theksuar se kjo është e nevojshme të bëhet “edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

Në njoftim thuhet se Kancelari AScholz ka kërkuar edhe vazhdimin e dioalogut midis Kosovës e Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Kancelari Federal Olaf Scholz bisedoi sot në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kancelari theksoi mbështetjen e Qeverisë Federale për integrimin evropian të Kosovës dhe rikujtoi rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Kancelari e përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai e theksoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kancelari Federal dhe Kryeministri i Kosovës ranë dakord të vazhdojnë shkëmbimin e hapur e të orientuar drejt rezultateve dhe të mbeten në kontakt”, thuhet në njoftimin Zyrës së Kancelarit të Gjermanisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë bisedës me Kancelarin Scholz ka shfaqur shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në KE në përputhje me rekomandimet e PACE dhe ka rikonfirmuar angazhimin për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, të arritur në Bruksel.

“Në një telefonatë me kancelarin gjerman Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe theksova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KE në përputhje me rekomandimet e PACE. Po ashtu, e rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.

(r.m.)