Berlin / Moskë, 3 gusht 2022 – Ish-kancelari i Gjermanisë, Gerhard Schroeder, ka biseduar lidhur me krizën energjetike me mikun e tij, Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Kremlini tha se Putin dhe Schroeder, në takimin e zhvilluar javën e kaluar, kanë biseduar për pengesat e furnizimeve me gaz të Evropës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Schroeder e ka pyetur Putinin se si e sheh situatën aktuale me furnizimet me gaz dhe nëse gazsjellësi ‘Nordstream 2” mund të bëhet funksional.
“Ai (Schroder) i kërkoi Putinit të qartësojë situatën dhe të shpjegojë pozicionin e palës ruse për këtë çështje”, tha Peskov, të mërkurën, më 3 gusht.
Ai tha se Putin i ka thënë Schroederit se gazsjellësi “Nordstream 2” është i gatshëm për përdorim dhe se furnizimet me gazin rus kanë rënë për rreth 30 milionë metra kob në ditë, nga 167 milionë metra kub, sa ishin para se Polonia të vendoste sanksione ndaj gazsjellësit ”Yamal-Evropë” dhe para se Ukraina të mbyllte rrugët e kalimit transit të gazit rus.
Ditët e fundit disa furnizime të gazit rus për në Evropë janë ndërprerë dhe Moska ia ka lënë fajin mirëmbajtjes së një turbine të gazsjellësit. Gjermania ka thënë se është e gatshme të dërgojë pajisjet për tubacionin “Nordstream 1”, nëpërmjet të cili gazi nga Rusia dërgohet në Gjermani, por rusët nuk i kanë kryer procedurat që turbina të rikthehet në funksion.
Ndërtimi i gazsjellësit “Nordstream 2” ka përfunduar më herët gjatë këtij viti. Ky gazsjellës duhet të transportonte në Gjermani gazin natyror nga Rusia. Por, ky projekt është kritikuar shumë, në Gjermani dhe në disa prej vendeve Perëndimore, për shkak të rritjes së varësisë së Gjermanisë nga energjia ruse. Gazsjellësi është bllokuar dhe nuk është funksionalizuar qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt të këtij viti.
Gerhard Schroeder, i cili ka qenë kancelar i Gjermanisë prej vitit 1998 deri në vitin 2005, e ka kritikuar Moskën për agresionin në Ukrainë, por ka refuzuar ta dënojë Putinin, të cilin e konsideron ende mik të afërt.
(Sipas REL)