Seanca e Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë, opozita pret dështimin e Kurtit

Prishtinë, 26 tetor 2025 – Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në orën 10 në seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë së re.

Kjo seancë, e cila mbahet ditëen e fundit të afatit kushtetues për votimin e kabinetit të ri qeveritar, pritet me skepticizëm, për shkak se partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë, ndërsa partitë tjera politike shqiptare nuk kanë shprehur vullnet për bashkëqeverisje me LVV-në.

Mandatari për formimin e qeverisë, kryetari i LVV-së, Albin Kurti la, ka lënë të kuptohet se mund të mos jetë në gjendje ta formojë qeverinë e re dhe e cilësoi si alternativë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj. Ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, ka deklaruar Kurti në një takim me diasporën në Londër.

Partitë opozitare janë të bindura se Kurti nuk do të arrijë t’i sigurojë votat e së paku 61 deputetëve dhe e përjashtojnë kategorikisht mundësinë e hyrjes në koalicion me LVV-në.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se partia e tij e ka bërë të qartë se në asnjë rrethanë nuk do të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë votë për të.

Por, Tahiri nuk ka treguar nëse PDK-ja, si forcë e dytë politiker në Kuvend, do ta marrë mandatin për formimin e qeverisë në rast se Kurti dështon. Ai nuk ka treguar as nëse PDK-ja është më shumë pro marrjes së mandatit për formimin e qeverisë apo pro shpalljes së zgjedhjeve të reja. Ai ka thënë se për këtë do të marrin vendim organet drejtuese të partisë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ka thënë se në seancën e sotme të Kuvendit do të provohet se LVV-ja nuk i ka votat për formimin e qeverisë së re.

“Ja tani ku është mundësia për të parë të vërtetën. Bllokuesit e vërtetë janë ata që nuk kanë arritur ta bëjnë një shumicë të thjeshtë”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, Kosova duket se po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka thënë se ai pret që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi nuk beson se Kurti i ka siguruar 61 votat e nevojshme.

“Ne s’kemi marrëveshje për këtë Qeveri, unë s’kam votë për këtë Qeveri”, ka thënë Berisha.

Lista Serbe, e cila i ka 9 deputetë, deri më sot nuk është trajtuar fare si faktor që mund të ndikojë në procesin e formimit të qeverisë, pjesërisht për shkak të distancimit të saj nga proceset politike në Kosovë e pjersërisht për shkak se nga subjektet tjera politike në Kosovë nuk konsiderohet si parti politike lojale ndaj institucioneve të Kosovës.

Në këtë raport forcash, LVV-ja mund të shpresojë të fitojë votat e deputetëve indibvidualisht, gjë që në zhargonin politik të Kosovës etiketohet si “kontrabandim”. Megjithatë, është pak e pritshme që deputetët të kenë kurajo të votojnë ndryshe nga qëndrimi kolegjial i strukturave drejtuese të partive politike.

Atëherë, si do të veprohet në rast se dështon zgjedhje e qeverisë së re në seancën e sotme të Kuvendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse në seancën e sotme nuk arrihet njëe marrëveshje për formimin e qeverisë së re ajo do t’i ftojë partitë tjera parlamentare për të parë nëse ndonjëra prej tyre mund t’i sigurojë 61 votat e nevojshme.

“Nëse s’ka marrëveshje, atëherë si presidente do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën”, ka thënë Osmani në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën shqipe.

Ajo e ka lënë hapur edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja, në rast se as partitë tjera nuk arrijnë të sigurojnë së paku 61 vota për formimin e qeverisë së re.

“Mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë nëse nuk krijohet shumica. Në fakt, mbetet e vetmja alternativë sipas Kushtetutës”, është shprehur ajo.

(r.m.)