Prishtinë, 24 tetor 2025 – Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e qeverisë së re është thirrur për të dielë, më 26 tetor.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka konfirmuar se ftesa tpër seancë të jashtëzakonshme, me pike të vetme zgjedhjen e qeverisë së re, u është dërguar të gjithë deputetëve.
“Po, kemi bërë kërkesë dhe të gjithë deputetëve tashmë u është dërguar ftesa për seancë të jashtëzakonshme, për të dielën në ora 10:00, me një pikë të rendit të ditës: Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Më 11 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar liderit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, mandatin për formimin e qeverisë së re.
Por, LVV nuk e ka numrin e mjaftueshëm të votave për marrjen e votëbesimit të Kuvendit. Nga deklarimet publike të liderëve të partive të përfaqësuara në Kuvend, Kurti, përveç votave të 48 deputetëve të saj, do t’i ketë edhe votat e 7 apo 8 deputetëve të komuniteve joshumicë, dhe për marrjen e votëbesimit i duhen edhe 5 apo 6 vota të tjera.
Më 21 tetor, Kurti la të kuptohet se LVV-ja mund të dështojë në formimin e qe verisë së re, prandaj mbeten alternative edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, ka thënë Kurti.
Në rast se LVV-ja nuk arrin t’i sigurojë 61 vota, Presidentja Osmani duhet t’i ftojë për konsultime partitë tjera dhe të dekretojë mandatarin që do të mund të siguronte mbështetjen e së paku 61 deputetëve.
Sipas Kushtetutës, nëse qeveria nuk formohet as pas përpjekjes së dytë, Presidentja Osmani duhet të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
(r.m.)