Prishtinë, 6 gusht 2026 – Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre menjëherë pas verifikimit të mandative dhe betimit të deputetëve, me kërkesë të Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje ( LVV), partisë më të madhe në Kuvend.
Kurti e bëri këtë kërkesë në momentin që LVV duhet të propozonte kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit. Ai ha se partia e tij kërkon kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për formimin e të gjitha institucioneve të vendit.
Kurti theksoi se konstituimi i Kuvendit nuk ka asnjë vlerë pa një marrëveshje politike për formimin e të gjitha institucioneve, përfshirjen zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që është bërë nyje e pazgjedhur e procesit të formimit të institucioneve të vendit,
“Ne duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet pajtueshmëri sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria, për të cilën u betuam sot. Konstituimi, kësaj radhe, nuk bën të jetë sërish drejt edhe një shpërndarje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme, të panevojshme për qytetarët e të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues, Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t`ju japim shanse bisedimeve politike për marrëveshje për president a presidente të re”, tha Kurti.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se seanca ndërpritet për kohë të pacaktuar pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk e propozoi kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit,
“Me që nuk ka propozim për kryetar të Kuvendit nga partia fituese, detyrohem ta ndërpres seancën”, tha Dehari.
Kryetari i Partisë Demokartike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, e cilësoi si të papërgjegjshme Lëvizjen Vetëvendosje.
“Siç e vërejtët, kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit dhe përgjegjësisë nga partia që e ka fituar numrin më të madh të ulëseve. Po shihet se vazhdojnë sjelljet e papërgjegjshme në raport me institucionet. Thirret seanca pothuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën që të kemi konstituimin, dhe në fund dalin mbajnë fjalime politike, abuzojnë me pozitën e kryesuesit dhe në vend se të propozojnë emër e shtyjnë propozimin e emrit të kryetarit dhe nuk konstituohet Kuvendi. Kosova vazhdon me vakum institucional”, tha Hamza.
Edhe kryesuesi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e akuzoi LVV-në për vonesa të procesit të konstituimit të institucioneve.
“Tani jeni dëshmitarë të një tendence të skajshme, jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën. Më 8 korrik janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, ndërsa sot del kryetari i LVV-së dhe u thotë qytetarëve të Kosovës: ‘Na duhet ende kohë’. Po, a nuk i patët 30 ditë kohë? Problemi kryesor nuk është te Qeveria e as te Kuvendi, por te Presidentja. A po doni të krijoni edhe një rast në Gjykatën Kushtetuese? Kjo është vetëm për të blerë pak kohë që t’i marrin tri institucionet, e ato nuk i takojnë një partie politike, sepse nuk i ka votat”, tha Tahiri.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, shprehu habinë për ndërprerjen e seancës. Sipas tij, LDK-ja nuk ka qenë e informuar se Kurti do të kërkonte kohë shtesë për negociata me LDK-në.
“Ky është Albin Kurti. Ai din edhe të debatojë edhe të hapë fushatë elektorale edhe të kërkojë kohë shtesë, duke menduar se është një dhe i vetmi mbi Kushtetutën dhe vullnetin politik të dalë nga zgjedhjet e fundit”, tha ai.
Megjithatë, ai shfaqi shpresën se gjatë ditës së sotme “mund të ketë lëvizje pozitive” drejt një marrëveshjeje politike mes LVV-së e LDK-së për formimin e institucioneve.
Lideri i LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë takuar disa herë për të diskutuar për një marrëveshje politike për formimin e institucioneve, por nuk janë marrë vesh për pozitën e presidentit. Kurti ka thënë se LVV-ja është për një president me sfond jopolitik, ndërsa LDK-ja kërkon me ngulm që presidenti i ardhshëm të dalë nga gjiri i saj.
Për zgjedhjen e presidentit është e nevojshme prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit në momentin e votimit. Asnjë parti nuk mund të sigurojë praninë e kaq deputetëve.
(r.m.)