Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ndërpritet pas përplasjes mes deputetes Musliu dhe kryesuesit Dehari

Prishtinë, 23 korrik 2025 – Të mërkurën, në Kuvendin e Kosovës, ka dështuar edhe një përpjekje, e 51-ta me radhë, për zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

Seanca e të mërkurës është ndërprerë para se të hidhej në votim propozimi i kryesuesit, Avni Dehari, për formimin e komisionit për zgjedhjen me votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit.

Dehari e ka shpallur të ndërprerë seancën pas një incidenti mes tij e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

Deputetja Musliu, së cilës iu dha fjala për të propozuar një kandidat të PDK-së për anëtar të komisionit për votim të fshehtë, por ajo filloi me akuzat se Dehari po vepronte kë kundërshtim me rregullat parlamentare duke e shtyrë përpara agjendën e Lëvizjes Vetëvendosje. Dehari i kërkoi regjisë t’ia ndalte fjalën deputetes Musliu, duke u thirrur në rregulloren e Kuvendit që nuk parasheh debat gjatë procesit të propozimit dhe votimit për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit. Musliu, me qëllim që ta vazhdontë diskutimin e filluar në mikrofonin e foltores, ia hoqi Deharit mikrofonin e kryesuesit të seancës, për të vazhduar diskutimin e filluar në mikrofonin e foltores. Në këtë situatë, kryesuesi Dehari tha se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës dhe e shpalli të mbyllur atë.

Vazhdimi i radhës është caktuar për të premten në orën 11:00. 

Partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje, insiston që votimi për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun, të bëhet në mënyrë të fshehtë, gjë që kundërshtohet ashpër nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, të cilat e konsiderojnë kundërkushtetues ndryshimin e mënyrës së votimit brenda një seance, në këtë rast nga votimi i hapur në votim të fshehtë.

Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e saj lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, më 26 qershor, ka thënë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, por nuk ka sqaruar se çfarë ndodh në rast se konstituimi nuk bëhet brenda këtij afati – para 26 korrikut.

Të martën, më 22 korrik, katër ditë para përfundimit të këtij afati, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që të shpjegojë se çfarë ndodh dhe si veprohet në rast se konstituimi i Kuvendit nuk bëhet deri më 26 korrik.

Ajo ka kërkuar gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.

(r.m.)