Prishtinë, 9 tetor 2025 – Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se seanca konstituive, e nisur më 15 prill, do të vazhdojë më 10 tetor në orën 10:00. Në njoftim është bërë e ditur se për këtë seancë është caktuar vetëm një pikë e rendit të ditës – zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Ky njoftim vjen një ditë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e stërgjatur të konstituimit të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese erdhi në përfundim se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Sipas saj, votimi në pako për nënkryetarët e Kuvendit nuk është i imponueshëm, por mund të realizohet me dakordim ndërmjet grupeve parlamentare.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për këtë pikë të procedures. Sipas saj, votimi veçmas dhe jo në pako për dy nënkryetarët e Kuvendit nga komunitetet pakicë përbënte shkelje kushtetuese.
Kuvendi i ka zgjedhur kryetarin, tre nënkryetarët shqiptarë dhe nënkryetarin nga pakica joserbe tashmë, por ka dështuar ta zgjedhë nënkryetarin nga komuniteti serb, sepse asnjëri nga deputetët serbë nuk e ka fituar numrin e nevojshëm të votave.
Tani, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’i kenë 12 ditë afat për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, me çka do të përmbyllet procesi i konstitutimit të organit më të lartë legjislativ. Por, as në aktgjykimin e fundit të saj, Gjykata Kushtetuese nuk ka sqaruar se çfarë ndodh nëse nuk zgjidhet nënkryetari serb dhe nëse konstituimi i Kuvendit nuk bëhet as brenda 12 ditësh.
Deri tani, pas gati pesë muajsh nga fillimi i seancës konstituive të Kuvendit janë zgjedhur kryetari (Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje) dhe katër nënkryetarë (Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Emilija Rexhepi nga pakica joserbe). Tre të parët janë zgjedhur në një votim në pako, ndërsa Emilija Rexhepi është zgjedhur në votim të ndarë nga kandidati i pakicës serbe. Kur u kërkua emri i kandidatit për nënkrytear nga pakica serbe, Lista Serbe e propozoi Sllavko Simiqin. Ai nuk i mori votat e nevojshme, mirëpo partia e tij nuk hoqi dorë nga kandidatura e tij dhe nuk propozoi ndonjë kandidat tjetër. Për këtë arsye, Kryetari Basha i shfrytëzoi dy mekanizmat zhbllokues, duke nxjerrë me short tetë prej dhjetë deputetëve serbë (pasi dy prej tyre nuk pranuan të jenë kandidatë), por asnjëri prej tyre nuk i fitoi votat e mjaftueshme. Në këtë situatë, Basha tha se Kuvendi është funksional dhe do ta vazhdojë punën. Mirëpo, pas ankesës së Listës Serbe, Gjykata Kushtetuese e bëri të qartë se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar derisa nuk zgjidhet edhe nënkryetari nga deputetët e komunitetit serb.
“Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë nënkryetarin nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, Kryesia e saj do të ishte e paplotë dhe jokushtetuese. Në këtë kontekst, zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb si anëtar i domosdoshëm i Kryesisë së Kuvendit, është parakusht për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata ka thënë se, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit, nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjidhet me shumicën e votave të përbërjes së plotë të Kuvendit (së paku 61 vota) dhe propozimi bëhet me shkrim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb.
” Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb”.
Lista Serbe i ka nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb, kurse ulësen ne dhjetë e ka fituar Nenad Rashiqi nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Stërgjatja e procesit të konstituimit të Kuvendit e ka stërgjatur edhe fillimin e procesit për zgjedhjen e Qeverisë së Re. Sipas rezultatit të zgjedhjeve, mandarin për formimin e qeverisë së re do ta propozojë Lëvizja Vetëvendosje. Ajo e ka numrin më të madh të deputetëve (48) dhe për formimin e qeverisë i duhen edhe votat e së paku 13 deputetëve të subjekteve tjera. Tash për tash nuk dihet nëse do të arrijë apo jo t’i sigurojë këto vota. Përveç tri subjekteve opozitare (PDK-së, LDK-së dhe koalicionit AAK-Nisma) dhe Listës Serbe, përfshirjen në një koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje e kanë refuzuar publikisht edhe disa deputetë të komuniteteve joserbe.
(r.m.)