Sekretari amerikan i Financave Scott Bessent e anuloi takimin me Vuçiqin

Nju Jork, 26 shtator 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se në Nju Jork është takuar me zyrtarë amerikanë për të biseduar lidhur çështjen e tarifës prej 35 për qind për eksportet nga Serbia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vuçiq ka thënë se për këtë çështje ka biseduar me emisarin special të Presidentit Trump për misione speciale, Richard Grenell, dhe me presidentin e bankës për eksport e import të SHBA-së, John Jovanovic.

Pas takimit, Vuçiq nuk është shprehur optimist se SHBA do të heqë tarifat për Serbinë

“E shoh se ky është një proces i gjatë, por në fund të tunelit mund të shoh rreze drite, përkundër procedurave shumë të komplikuara”, ka thënë Vuçiq, citon mediumi serb Nova.rs.

Presidenti serb ka konfirmuar se ishte konfirmuar se në takim do të merrte pjesë edhe Sekretari amerikan i Financave, Scott Bessent, por kjo nuk ka ndodhur. Sipas Vuçiqit, Bessent e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak se “ka pasur një takim tjetër të papritur”.

Megjithatë, sipas Vuçiqit, Grenell e Jonavovic “kanë qenë në koordinim” me sekretarin Bessent.

Tarifat amerikane pë importet nga Serbia kanë hyrë në fuqi më 7 gusht. Ato janë tarifat më të larta se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

(r.m.)