Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, dënohet me 2.8 vjet burg

Tiranë, 13 nëntor 2023 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të hënën më 13 nëntor të deklarojë fajtore sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro si dhe tre të pandehurit e tjerë të akuzuar për korrupsion me një tender.

Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për dënimin e Duros me 4 vjet burgim në cilësinë e funksionarit të lartë shtetëror, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet e 8 muaj burgim. Laura Shteto, Vladimir Topi dhe Silvi Shehi u dënuan me nga një vit burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 8 muaj heqje lirie.

Joana Duro u arrestua më 2 qershor, pasi u akuzua se kishte përfituar ryshfet në vlerën 330 mijë lekë për të favorizuar shoqërinë Dricons sh.p.k në një procedurë prokurimi me fond limit 805 mijë lekë. Duro u dënua për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Veç Duros, SPAK mori të pandehur për korrupsion aktiv Laura Shteton, administratorin e kompanisë Dricons, Vladimir Topi si dhe Silvi Shehin, inxhinier pranë këtij operatori ekonomik. Sipas prokurorisë, shuma e parave që ka marrë Duro është dhënë nga Topi, i cili akuzohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar. Shehi akuzohet se pas komunikimit me administratorin e kësaj shoqërie, ka marrë shumën e parave dhe ja ka dërguar të pandehurës Laura Shteto, e cila më pas i ka dhënë Duros.

Në seancën parardhëse, Duro shprehu pendesë nëpërmjet avokates së saj për faktin se nuk kishte qenë e kujdesshme të kontrollonte se çfarë gjendej në zarfin e përcjellë nga Shteto. Ajo pretendoi se nuk kishte pasur dijeni se aty gjendej shuma e parave që u sekuestrua. Edhe Shehi pretendoi pafajësi me pretendimin se nuk e dinte çfarë kishte në zarf, ndërsa Shteto dhe Topi pranuan fajësinë.

Ndërkohë, përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve kërkuan të ndryshohet cilësimi i veprës penale, duke pretenduar se funksioni i Duros nuk mund të kualifikohet si funksion i lartë shtetëror, kërkesë e cila u rrëzua nga gjykata.

(Reporter.al)