Sektori bankar vijoi rritjen edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, totali i aktiveve në fund të qershorit arriti vlerën e 1.645 trilionë lekëve. Aktivet e sektorit u shtuan me 42 miliardë lekë (2.6%) gjatë tremujorit të dytë, ndërsa me bazë vjetore rritja arriti në 117 miliardë lekë (rreth 7.7%). E thënë ndryshe, në një vit aktivet e sektorit bankar janë shtuar me pothuajse një miliardë euro. Edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit, rritja e sektorit bankar është mbështetur kryesisht te veprimet me letrat me vlerë, por edhe huadhënia ka shënuar një rritje më të lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli i letrave me vlerë në fund të qershorit arriti në 523 miliardë lekë, në rritje me rreth 25 miliardë lekë (5%) gjatë tremujorit të dytë. Ky zë i aktiveve vazhdon të ketë edhe normat më të larta të rritjes vjetore, me rreth 8% më shumë krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Pandemia solli rritje të deficitit buxhetor dhe të huamarrjes publike. Bankat e shfrytëzuan mundësinë për të investuar në letrat e borxhit të qeverisë, si në lekë, ashtu edhe në euro, përfshi këtu eurobondin. Kjo tendencë ka vijuar edhe në gjysmën e parë të vitit 2021, ku sektori i është përgjigjur një kërkese pak më të lartë për huamarrje të brendshme të qeverisë shqiptare krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm. Zmadhimi i portofolit të titujve megjithatë nuk lidhet vetëm me emetimet e qeverisë shqiptare, por edhe me rritje të volumit të investimit në letra me vlerë të emetuesve të tjerë, sidomos në monedhën euro.
Për shkak të normave shumë të ulëta të interesit për vendosjet dhe depozitat në euro, bankat po investojnë më shumë në tituj, me qëllim përmirësimin e kthimit nga fondet në valutë. Në mesin e këtij viti, sektori bankar kishte rreth 824 miliardë lekë pasive në valutë. Pjesa më e madhe e tyre ngelen të investuara në Shqipëri, kryesisht në kredi dhe obligacione qeveritare, megjithatë në tremujorjn e parë të këtij viti u shënua një rritje e ndjeshme e aktiveve jorezidente, me rreth 17 miliardë lekë (5%) më shumë krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe me afërsisht 30 miliardë lekë (rreth 9%) më shumë krahasuar me një vit më parë.
Megjithëse veprimet me titujt kryesuan rritjen e sektorit edhe në tremujorin e dytë, huadhënia u rrit me ritëm më të shpejtë krahasuar me një tremujor më parë, duke dhënë një kontribut në rritje në zgjerimin e aktiveve të sektorit bankar. Portofoli bruto i huasë arriti vlerën e 625 miliardë lekëve, rreth 14 miliardë lekë (2.2%) më shumë krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 35 miliardë lekë (6%) më shumë krahasuar me një vit më parë. Gjendja e provigjioneve në mesin e këtij viti ishte rreth 30.4 miliardë lekë, në rënie me tre miliardë lekë krahasuar me tremujorin e parë dhe me 1 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Rënia e gjendjes së provigjioneve reflekton përmirësimet e cilësisë së portofolit të kredisë dhe uljen e raportit të kredive me probleme të sektorit bankar./E.Shehu, Monitor.al