Selajdin GASHI – “Zëri i frymëzimit dhe zemrës”

In memoriam 

Selajdin Gashi

Nga Don Lush Gjergji

Më 20 shtator 2020 ishte përcjellja për pushimin në amshim e mikut dhe bashkëpunëtorit tonë të njohur, Sylejman Gashit, “zërit të shpresës – Amerikës”, si pata shkruar unë në një përkujtim kushtuar jetës dhe veprës së tij. Ma atë rast, si thotë populli, “ra kjo vdekje e u pamë”, e njoftova edhe familjen e Sylejmanit, bashkëshorten dhe fëmijët e tyre. 

Më ra në sy, disi u shoqërova ato ditë, sidomos më vëllain e Sylejmanit, tash të ndjerin Selajdin Gashin, me të cilin u krijua një bashkëndarje e dhembjes, pikëllimit, por edhe një shoqëri – vëllazëri tejet e thellë dhe sinqertë, si të ishim së bashku sa kohë.  

Pas disa takimeve dhe bisedave, shkëmbimeve të përvojave, njohurive, ia dhurova ndër të tjera librin “E kam në zemër Popullin tem Shqiptar”, kushtuar 40 vjetorit të Shpërblimit Nobel të Nënës Tereze (2019).  

Ai, si duket, e kishte lexuar dhe shijuar me zemër dhe ndjenja frymëzuese dhe kishte marrë për sipër përthimin e këtij libri në gjuhën gjermane.  

 Preja atyre ditëve komunikimi ynë ishte i rëndomtë, herë nëpërmjet telefonit, shkrimit, kujtimeve, deri para disa ditëve, ku ndër të tjera më tha: “Tash po e përfundoj përkthimin… Kam një takim me Pal Sokolin dhe grupin, këshillin, të dielën, më 11 prill… Kam një lajm të mrekullueshëm, një shtëpi e njohur botuese gjermane është e interesuar për këtë botim…,  Asgjë nuk do të bëjë pa Ty dhe Palin…”  

Ngutej, si ta hetonte dhe përjetonte q vdekja po e ndjektë hap pas hapi dhe po e rrezikonte dhe  përshpejtonte… 

Gjatë këtyre gjashtë muajve, prej së largu dhe prej së afërmi, unë e kam përjetuar Selajdin si njeri të frymëzimit dhe të zemrës, që në një anë ishte plot me jetë, dëshirë, mundësi, plotësi, si pranvera para gufimit, si burimi i furishëm që rrjedh, dhuron ujë, freski, jetë, pa ndalur asgjë për vete, si sofër, bukë, miqësi, vëllazëri, dashuri, pa kalkulime, që kishte aq shumë nevojë për takim, afrim, bashkim, komunikim, për të dhuruar dhe pranuar, për të qenë Njeri i pendës dhe krijimtarisë, mbi të gjitha i mirësisë dhe dashurisë. 

Kjo etje dhe uri për Jetë, ky mall dhe mallëngjim, kjo begati dhe pasuri, që gjithnjë e ke dhuruar, me jetën, krijimtarinë dhe punën tënde, le të jetë letërnjoftimi yt për tashmen dhe për të ardhmen, për këtë jetë dhe për amshim. 

I dashuri Selajdin, jetove, punove, krijove, gjithnjë me përkushtim dhe dashuri, e tash, i çliruar nga koha dhe hapësira, që aq shumë të kanë ndrydhur dhe munduar, shijoje Jetën, Dashurinë, Amshimin e lumtur. 

Unë, e së bashku me mua, besoj edhe shumë tjerë, pritnin fytyrën tënde serioze dhe të hareshme, sytë ty depërtues dhe ndriçues, fjalën tënde të ëmbël dhe të qëlluar, reshtin të tënd tingëllues dhe kumbues, zemrën tënde të madhe dhe bujare, që me Ty edhe ne të kënaqeshim, të ngroheshim apo freskoheshim, të begatoheshim,  ndërsa Ti, vdekja të rrëmbeu, e ne na ke lënë në dhembje dhe pikëllim, por edhe në shpresë dhe siguri: ti jeton jo vetëm në mendjet dhe zemrat tona, por në Zotin. 

Disa ditë para vdekjes, ndër të tjera, mi shkrove këto fjalë: “Amshimi është i afërt, i pranishëm, në ne. Ne jemi në amshim dhe amshimi është në ne…”. 

Tash kemi tri mjete të komunikimit me Ty: Zotin, dashurinë, uratën. Do t’i përdorim për t’u çmallur dhe për të qenë me Ty dhe Ti me ne. 

Jeta është si burimi,  që vazhdimisht rrjedh, dhuron ujë, jetë, apo edhe si natyra, e cila në kohë të përshtatshme  pas dimrit dhe acarit, lulëzon, shpërthen, gufon, rritet, përparon e përhapet, si pranvera e stolisur me plot gjelbërime. Ti ishe një burim i pashtershëm frymëzimi dhe zemre, sidomos për rrethin familjar, për ata që të kanë njohur dhe dashur, por edhe për ata që kanë lexuar dhe shijuar krijimtarinë tënde letrare. Të gjithë të duan dhe të falënderojnë për jetën dhe veprimtarinë, krijimtarinë tënde. 

Të shtunën, më 10 prill, në orët e vona, më thirri në telefon Pal Sokoli nga Dyseldorfi. Mendova që do të jetë bisedë e rëndomtë, ndoshta edhe rreth botimit të librit… Më befasoi me lajmin e zi: para disa orëve ka ndërruar jetë Selajdin Gashi. Mbeta shtang dhe pa fjalë, me zemër të copëtuar…  

Edhe një Mik, Vëlla, Njeri, kaloi në amshim! Vdekja e “pangopshme”  korrë pa ndërprerë, gjithnjë… 

Vdekja “vjedhëse” dhe tinëzare  nuk ia mundësoi Selajdinit tonë më këtë jetë tokësore, edhe më pak botimin e librit të përmendur në gjuhën gjermane, sidomos takimet, afrimet dhe bashkimet tona, për të cilat kishim aq shumë mallëngjim, dëshirë, kërkesë, nevojë, pritje… 

Tash na ka mbetur vetëm një “kanal” i komunikimit – Zoti, kujtimet e bukura dhe të dhembshme, mbi të gjitha vëllazëria dhe miqësia e madhe dhe e mrekullueshme, që na lidhte, si dhe urata, besimi i fortë  dhe siguria në amshimin e lumtur, ku do të jemi të gjithë së bashku, një, me Zotin, si dhe me njëri-tjetrin. 

Po i përmbylli këta reshta të varfër dhe të shkurtë me disa citate nga korrespondenca jonë gjatë këtyre muajve:  

“I dashuri Don Lush, kur të shoh Ty, si ta pasha vëllain tim të ndjerë Sylën…, edhe më shumë, miqtë e mi të dikurshëm, që tashmë nuk janë të gjallë…” 

“Nëpërmjet Teje e kam zbuluar një botë te re, për mua  pothuaj të panjohur, Zotin, që Ti aq bindshëm e paraqet, dhe Nënën Tereze, të cilës ia ke kushtuar tërë jetën… Të falënderoj për miqësi dhe dashuri që më dhuron. Ajo më mbanë dhe më ushqen…” 

“Koha po kalon shpejt dhe me shumë dinamikë… Kam aq shumë nevojë, dëshirë, të shihemi dhe të çmallemi… Ndoshta do të kemi kohë edhe për këtë…” 

Koha për të dashurin, tashmë edhe të ndjerin, Selajdin Gashin, është shndërruar në amshim, ndërsa unë mbetëm ende në kohë dhe në hapësirë, në shtegtim kah amshimi. 

Ty, Selajdin i dashur, të falënderoj për miqësi, vëllazëri, dashuri, punë, për gjithçka që me ke dhuruar dhe mundësuar gjatë këtyre muajve të njohurisë me Ty, me dëshira që ta kesh amshimin e lumtur, ndërsa familjes, miqve, dashamirëve, ngushëllime, gjithnjë me uratë dhe dashuri.  

Pusho në paqe në Zotin! 

Prishtinë,  20 prill 2021   (Mbledhja përkujtimore virtuale)       Don Lush GJERGJI