Selimi në Gjykatën Speciale: “Nuk kam frikë nga drejtësia…”

Hagë, 4 prill 2023 – Ish-deputeti i Kosovës, Rexhep Selimi, në fjalën e tij lidhur me aktakuzën e ngritur nga Dhoma e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, ka thënë se pret që ai dhe të akuzuarit tjerë të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Në një deklaratë para trupit gjykues, ai ka deklaruar sërish se ai nuk ka të bëjë asgjë me krimet e pretenduara nga prokuroria.

“Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë”, ka thënë Selimi.

Selimi ka thënë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale është e përpiluar pa fakte dhe argumente.

“Ka dy vite e gjysmë që jam njoftuar për ngritjen e aktakuzave, të cilën nuk e prisja. Natyrisht tani ja ku jemi, e konsiderojmë si të përpiluar pa fakte dhe argumente, prandaj sërish deklarohem se nuk kam të bëjë asgjë me krimet e pretenduara në aktakuzë”, ka thënë Selimi.

Ai ka mohuar se pjesëtarët e UÇK-së kanë kryer krime dhe treguar për disa nga masakrat që forcat serbe i kanë kryer në Kosovë, duke theksuar se forcat serbe kanë vrarë edhe fëmijë në gjirin e nënës.

“E nëse flasim për krime, le të flasim për krimet që në të vërtetë kanë ndodhur. Të flasim për të gjitha masakrat që kanë ndodhur në Kosovë. Le të flasin për masakrën e Reçakut, Mejës, Poklekut, Izbicës, Krushës apo edhe qindra masakra të tjera ku janë vrarë fëmijët edhe në gjirin e nënës”, është shprehur ai.

Selimi ka treguar edhe për vrasjet, torturat, dëbimet me dhunë e dhunimet e shqiptarëve, si edhe për djegiet e shtëpive të shqiptarëve nga forcat serbe. Ai ka theksuar se lufta nuk ishte zgjedhje e shqiptarëve, por ishte e imponuar nga shteti i Serbisë.

“Lufta nuk është e mirë asnjëherë për askënd. Ne luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë as si profesion e as si pasion, por ajo ishte domosdoshmëri për mbijetesën si komb e si shoqëri, ndërkohë dhuna agresive dhe shtypja vazhdonte kundër popullatës në Kosovë. Serbia kreu qindra masakra ku siç të gjithë e dinë, vrau mbi 12 mijë shqiptarë pa kursyer gra, pleq e fëmijë e të sëmurë”, ka thënë Selimi.

“Përveç vrasjeve, forcat serbe dhunuan mijëra vajza e gra të pambrojtura shqiptare. Ata dogjën me qindra e mijëra shtëpi. Dëbuan me dhunë më shumë se gjysmën e popullatës e ne nuk iu përgjigjëm në të njëjtën formë Serbisë”, është shprehur ai.

Avokati i Selimit, Geoffrey Roberts, ka deklaruar se pretendimet e Dhomës së Prokurorisë së Specializuar rreth UÇK-së nuk qëndrojnë.

“Nuk ka pasur strukturë për grupet e formuara e as hierarki që prokuroria supozon. Nuk ka pasur pasoja për individët që largoheshin nga fushëbeteja, e ktheheshin pas një jave apo më vonë”, ka thënë Roberts.

“Ky është konteksti real që ZPS-ja nuk dëshiron ta pranojë”, ka theksuar ai.

(r.m.)