Senatorët Murphy e Peters premtojnë mbështetjen e SHBA-së për Malin e Zi

Podgoricë, 24 maj 2023 – Senatori merikan Chris Murphy, anëtar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-së dhe senatori Gary Peters, anëtar i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit të SHBA-së, vizituan të mërkurën Malin e Zi, si pjesë e një turi në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në Podgoricë senatorët amerikanë u takuan me presidentin e ri Jakov Milatoviq.

Senatori Murphy tha se ata janë miq të Malit të Zi dhe se ky vend, siç tha ai, paraqet një histori suksesi.

“Një nga votat për të cilat jam më krenar si anëtar i Senatit është vota e mbështetjes për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Ne mbështesim vizionin tuaj për anëtarësim në BE. Dhe BE-ja do të forcohet kur Mali i Zi t’i bashkohet. Ne jemi këtu për të dëgjuar nga ju se si mund të mbështesim vizionin tuaj ekonomik dhe të sigurisë. Mali i Zi është një histori suksesi. Ka ende punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe mbrojtjes së medias. Por, asnjë demokraci nuk është e përsosur, madje as ne në SHBA. Ne jemi entuziastë për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit”, tha senatori Murphy.

Ndërkaq, senatori Peters e vlerësoi përkushtimin dhe kontributin e Malit të Zi në NATO.

“Unë kam një komunitet shumë të madh shqiptar në zonën time (Miçigan) në SHBA dhe shumë prej tyre vijnë nga Mali i Zi dhe e duan shumë Malin e Zi. Votuesit e mi thonë se duhet të investojmë në Mal të Zi. Ne duhet të luftojmë kundër korrupsionit. Do të forcojmë prosperitetin ekonomik për qytetarët e Malit të Zi. Fokusi im është te siguria. Mali i Zi është i përkushtuar ndaj NATO-s dhe kjo është e rëndësishme. I përgëzoj njerëzit për investimin në siguri dhe për kontributin në NATO në të gjithë Evropën. Është e rëndësishme që ne të forcojmë sigurinë kibernetike. Sulmi ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve ne”, tha Peters.

Presidenti Milatoviq komentoi në Facebook takimin me senatorët Murphy e Pters, të cilin e quajti të “suksesshëm”.

“Ne ramë dakord që procesi i integrimit në BE është shumë i rëndësishëm dhe se ai duhet të përfundojë me sukses në vitet e ardhshme, kur bëhet fjalë për Malin e Zi, i cili kërkon përshpejtimin e reformave.

Besoj se nga pozita e presidentit do të përmirësoj edhe më tej partneritetin strategjik mes Malit të Zi dhe SHBA-së, i cili është i një rëndësie të madhe, veçanërisht në këto momente të ndryshimeve politike”, tha presidenti malazez Milatoviq.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)