Prishtinë, 22 maj 2023 – Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, deklaruan sot në Prishtinë se Kosova ka qenë gjithmonë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj SHBA-ja do ta ndihmojë të në rrugën përpara.
“Mos u vini në lajthitje. Marrëdhënia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është e fuqishme dhe do të fuqizohet edhe më tej”, tha senatori Murphy, pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Senatori Murphy tha se ai e senatori Peters e nisën pikërisht në Kosovëvizitën disaditëshe në rajon, sepse Kosova është vendi më proamerikan.
“Ne do të jemi edhe në vende të tjera të rajonit, por nuk është rastësi që kemi ardhur më së pari në Kosovë. Kosova gjithmonë ka qenë ne krahë të Shteteve të Bashkuara”, tha Murphy.
“Marrëdhëniet mes Kosovë dhe Shteteve të Bashkuara vetëm po forcohen”, theksoi ai.
Ndërsa, senatori Peters tha se Kosova dhe SHBA-ja kanë marrëdhënie speciale dhe shtoi se SHBA do ta ndihmojë Kosovën në fushën e sigurisë.
“Marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-së është speciale. Nuk e di që ekziston ndonjë vend në botë që ka marrëdhënie kaq të ngushta me SHBA-në sa Kosova. E keni ndihmuar SHBA-në që të mbrojë e të ruajë demokracinë në botë, prandaj SHBA-ja do të jetë pranë jush. Ne do të punojmë me ju edhe për sigurinë kibernetike. Do të bashkëpunojmë dhe do ta mbështesim edhe furnizimin me pajisje ushtarake”, tha senatori Peters.
Senatori Murphy tha se Serbia duhet të ndalojë ta pengojë integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Na vjen mirë që po e shohim marrëveshjen e fundit midis Kosovës dhe Serbisë që përfshin njohjen e ndërsjellë të dokumenteve zyrtare, por edhe hapat e vështirë që duhen të ndërmerren nga të dyja palët. Serbia duhet të ndalojë së penguari Kosovën, të drejtën e saj për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”, tha ai.
Senatori Murphy tha se Kosova është zotuar se do të lejojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shfaqi shpresën se kjo do të bëhet, siç u shpreh, “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Ai tha se SHBA-ja e vlerëson përkushtimin e Kosovës për rend e ligj dhe për luftim të korrupsionit.
“Ne e vlerësojmë përkushtimin e qeverisë për rend e ligj dhe për luftimin e korrupsionit”, tha ai.
Senatorët Murphy e Peters u takuan edhe me Kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit, ata thanë se dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të përfundojë gjatë këtij viti.
“Ky është viti që duhet të përfundojë procesi dhe ne jemi këtu që t’ju bëjmë thirrje që ta implementoni marrëveshjen sa më shpejt”, tha senatori Murphy.
Ndërsa senatori Peters tha se pret ë Kosova të mbështesë politikat e SHBA-së në rajon dhe se këtë ia ka tha thënë edhe komunitetit shqiptar në Michigan.
“Unë kam një komunitet të madh të shqiptarëve në Michigan. Kam pasur takim me këtë komunitet atje, për të biseduar për problemet që ballafaqohen. Ne jemi të kënaqur me marrëveshjen dhe sigurisht presim zbatimin e saj. Ne e konsiderojmë Kosovën si shteti më pro amerikan, çdo here i përkrahni vendimet dhe politikat e SHBA-së”, tha ai.
Të enjten, në Komitetin për marrëdhënie të Jashtme të Senatiit të SHBA-së është diskutuar për Kosovën, ku kanë raportuar Derek Chollet e Gabriel Escobar. Ata kanë përsëritur qëndrimi se në Kosovë nuk do të ketë ‘Republikë Sërpska’, por kanë theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Chollet e ka falënderuar senatorin Murphy për vizitën që do ta zhvillojë në Kosovë.
(r.m.)