Senatori Cardin: SHBA mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe reformat në Serbi

Uashington, 14 qershor 2023 – Senatori Ben Cardin, drejtues i senatorëve demokratë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të Shteteve të Bashkuara, ka fajësuar të dyja palët – Kosovën dhe Serbinë – për rritjen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

“Është shumë e qartë që qeveria duhet t’i parandalojë këto lloje veprimesh provokative. Zgjedhjet e fundit treguan një mospërfillje për serbët që gjenden në Kosovë dhe kjo nuk është mënyra se si duhet të veprojë Kosova. E kemi parë kaq shumë herë se në Serbi udhëheqësit e tyre e bëjnë shumë të vështirë njohjen e legjitimitetit të Kosovës, duke sfiduar pjesëmarrjen e saj në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë z.Cardin, në një intervistë për shërbimin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës.

Z. Cardin ka thënë se të dy vendet duhet të ndalin provokimet dhe të krijojnë klimë për njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të njëri-tjetrit.

“Të dyja palët duhet ta ndalin këtë lloj sjelljeje dhe të krijojnë një klimë në të mirë të njohjes së plotë nga të dyja vendet të pavarësisë dhe sovranitetit të fqinjëve të tyre. Dhe kur të realizohet, kjo duhet të ndodhë paralelisht me mbrojtjen e pakicave kombëtare që janë në atë vend”, është shprehur ai.

Senatori Cardin ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë më të qartë dhe të ndërmarrin hapa për të shtyrë palët të zgjidhin problemet midis tyre.

“Mendoj se e kemi bërë shumë të qartë se çfarë qëndrimi kemi për këtë. Ka një kufi për durimin e Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara. Ne e mbështesim shumë Kosovën dhe sovranitetin e saj dhe jemi treguar shumë agresivë duke vënë në dukje gjërat që duhet të bëjë Serbia. Por, jemi po njësoj të shqetësuar për veprimet e ndërmarra në Kosovë që e bënë më të vështirë për ne të kemi klimën e duhur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Pra mendoj se do të jemi shumë të qartë për pritshmëritë tona dhe se, nëse të dyja vendet duan të kenë një marrëdhënie më të harmonizuar me Evropën, atëherë duhet të ndërmarrin hapat për ta treguar këtë”, ka thënë ai.

Z. Cardin ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mjete të shumta për t’i inkurajuar palët të gjejnë zgjiidhje. Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara e mbështesin shumë fort pavarësinë e Kosovës dhe reformimin e Serbisë.

“Kemi mjete të shumta në arsenalin tonë për t’i inkurajuar palët që të punojnë së bashku. Ne i vëmë këto mjete në përdorim. Disa janë karrota, disa janë shkopinj. Po, do të shqyrtojmë të gjitha mjetet që disponojmë, duke treguar se Shtetet e Bashkuara ruajnë një mbështetje shumë të fortë për pavarësinë e Kosovës dhe se jemi shumë të interesuar për reformat në Serbi që janë të nevojshme në atë vend dhe se do të donim që të dyja vendet të kenë një marrëdhënie më të normalizuar me Evropën”, është shprehur senatori Cardin.

(r.m.)