SENATORI MENENDEZ: ZËRI I ARSYES DHE DREJTËSISË AMERIKANE

“Paqja arrihet me njohjen e Kosovës nga Serbia, jo me asociacion një-etnik”

Nga MSc. Agim Aliçkaj

         Senatori i mirënjohur Robert Menendez mban një post shumë të rëndësishëm, ai është Kryetar i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit Amerikan. Ky komitet konsiderohet si një nga më të fuqishmit dhe më prestigjiozët në Senat, për shkak të historisë së tij të gjatë, ndikimit të gjerë në politikën e jashtme të SHBA-së, juridiksionit mbi të gjitha nominimet diplomatike dhe si i vetmi Komitet i Senatit që diskuton dhe konfirmon traktatet ndërkombëtare.

         Doktor i Jurisprudencës, Senatori Menendez ka qenë në shërbimin publik të popullit amerikan për pesëdhjetë vjet dhe ka mbajtur poste të ndryshme të rëndësishme. Me njohurinë dhe përkushtimin e tij për të drejtat e njeriut kudo në botë mund të krahasohet me kongresistin legjendar Tom Lantosh. Si fëmijë i një familje emigrantësh ikur nga Kuba e kupton fare mirë ndjekjen e njerëzve të pafajshëm nga regjimet komuniste dhe fashiste si Kuba dhe Serbia.

         Fjalimi i tij në takimin me komunitetin shqiptaro-amerikan, të organizuar nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e udhëhequr nga heronjtë e gjallë të kombit shqiptar Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi ishte historik. Qëndrimet e tij ishin të qarta, të arsyeshme, të argumentuara, të drejta dhe të forta. Njohuritë e tij, edhe në detaje, për konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës janë mbresëlënëse.     

         “Zgjidhja e përhershme nuk mund të arrihet me vendime të këqija afatshkurtra”, tha Menendez. “Kosova e ka pranuar planin e Ahtisaarit dhe të njëjtën duhet ta bëjë edhe Serbia. Kushtetuta e Kosovës në bazë të këtij plani garanton të gjitha të drejtat e pakicës serbe. Ka edhe keqpërdorime nga ana e tyre, në komunat me shumicë serbe nuk mësohet gjuha shqipe, ndërsa në ato me shumicë shqiptare mësohet serbishtja”.

        “Paqja arrihet me njohjen e Kosovës nga Serbia, jo me asociacion një-etnik, i cili krijon përçarje etnike dhe minon funksionimin e shtetit. Njohja e pavarësisë është e para, gjithçka tjetër është e lidhur dhe mund të zgjidhet me të. Kjo nuk është e mirë vetëm për Kosovën, por edhe për Ballkanin, si dhe për interesin kombëtar dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.       

         Mospajtimi i tij me Departamentin e Shtetit tregon bukurinë e demokracisë dhe gjenialitetin e Kushtetutës Amerikane. Dy degë të ndryshme me qëndrime të ndryshme. Administrata amerikane, si degë ekzekutive, ka hapësirë ​​të mjaftueshme për vendime taktike në politikën e jashtme. Por, në një afat të gjatë, veprimet e tyre duhet të shpjegohen dhe të harmonizohen me degën legjislative, në përputhje me interesat strategjike amerikane.

         Diplomatët amerikanë do ta kenë shumë vështirë t’i arsyetojnë veprimet e tyre të fundit në Ballkanin perëndimor përpara Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan. Minoriteti serb ka më shumë të drejta dhe privilegje se çdo minoritet tjetër në botë. Shqiptarëve në Serbinë jugore u mohohen të drejtat themelore të njeriut. Parimi i vetëvendosjes nuk mund të aplikohet sipas dëshirës, ​​vetëm sepse dikujt nuk i pëlqen shteti ku jeton.

         Si mund ta arsyetojnë mbështetjen dhe ledhatimin e Serbisë, të një shteti hegjemonist autokratik, ngatërrestar i vazhdueshëm dhe destabilizues i përhershëm i Evropës?! Si mund ta nënçmojnë dhe kërcënojnë Kosovën, një shtet paqësor dhe demokratik të krijuar nga vetë Amerika, me popullin më proamerikan në botë?! Arsyetimi me interesa të përkohshme gjeostrategjike nuk do të iu mjaftojë për t’i anashkaluar vlerat e shenjta të përhershme amerikane, drejtësinë, tolerancën,  diversitetin dhe përfshirjen.

         Populli shumicë i Kosovës e ka zgjedhë Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani për ta shpëtuar Kosovën. Ata duhet ta përballojnë presionin e padrejtë ndërkombëtarë për asociacion të pastër etnik serb dhe lëshime tjera të dëmshme në kurriz të shtetit që e përfaqësojnë.

         Kosova nuk ka asnjë obligim që ta pranojë marrëveshjen e cila është shpallë jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.              

         Lidershipi i Kosovës duhet ta refuzojë atë edhe nëse diplomatët ndërkombëtarë janë të pakënaqur, edhe nëse nuk takohen me ta, edhe nëse nuk u japin viza, edhe nëse i kërcënojnë me sanksione dhe izolim. Mërgata e fuqishme shqiptare do të mobilizohet dhe do të ketë forcën ta mbështesë Kosovën në çdo aspekt. Nëse rrëzohen nga pushteti, populli i Kosovës do t’i votojë sërish me 80% të shumicës.

         Nëse Serbia guxon t’i hyjë aventurës së luftës do të mbarojë keq për te. Ballkanin do ta përfshijë flaka. Kosova do të bëhet varri i Serbisë.         

         Me lutje dhe lëshime, Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën.

         Ka vetëm një zgjidhje për këtë konflikt të krijuar nga Serbia. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë bërë ende dhe anëtarësimi i përshpejtuar në NATO. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet paqja dhe siguria. Nëse vendet perëndimore nuk janë të gatshme ta bëjnë këtë, dialogu me Serbinë është i pakuptimtë.

         Zëri i arsyes dhe drejtësisë i senatorit Menendez në këtë drejtim duhet të merret parasyshë. Deklarata e tij publike është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm në drejtim të duhur.

         E drejta e popullit të Kosovës për të ekzistuar dhe jetuar i lirë në paqe dhe harmoni me vendet fqinje duhet të respektohet.

Pjesë nga fjala ime në takim:

I NDERUARI SENATOR MENENDEZ,

         Tridhjetë e dy vjet më parë u largova nga Kosova me familjen time, duke i shpëtuar shtypjes shtetërore serbe. Erdhëm në Amerikë, vendi më i mirë në botë, vendi i demokracisë, drejtësisë dhe mundësive. Ne po jetojmë ëndrrën amerikane ashtu si miqtë e mi këtu dhe mijëra shqiptaro-amerikanë të tjerë anembanë vendit.

         Ne duam që njerëzit në Evropën Juglindore të jetojnë të njëjtën ëndërr në paqe dhe prosperitet. Fatkeqësisht, këtë e pengon sjellja agresive e vetëm një vendi, shteti hegjemonist shovinist i Serbisë i ndihmuar dhe nxitur nga Rusia.

         Serbia është një agresore, e cila ka shkaktuar katër luftëra dhe dy gjenocid, në Bosnje dhe Kosovë. Serbia nuk ka ndryshuar asnjë grimë. Ajo po përpiqet të arrijë të njëjtat qëllime si krimineli i luftës Millosheviq, duke përdorur metoda të ndryshme. Popullit serb i është shpërlarë truri me gënjeshtra dhe propagandë dhe është helmuar me urrejtje për shqiptarët dhe kombet e tjera përreth. Denazifikimi i Serbisë është më se i nevojshëm për t’i dhënë një shans paqes.


          Në prill të vitit 2002, në një ngjarje të organizuar nga LQSH-a, Presidenti Biden atëherë Senator ka thënë:- “Derisa populli serb të shikojë vehtën në fytyrë, të kuptojë se çfarë kanë bërë udhëheqësit e tyre, ata nuk do të jenë në gjendje të heqin këtë nocion të viktimizimit, ata kurrë nuk mund të shërohen nga sëmundja se ata janë të shtypurit dhe ky cikël do të vazhdojë dhe do të vazhdojë…”. Ky cikël po vazhdon edhe sot.

         Populli shqiptar është gati të ecë përpara dhe t’i bashkohet Evropës demokratike. Ata nuk e urrejnë popullin serb. Ata e urrejnë shtetin serb që është përpjekur t’i shfarosë në koordinim me Kishën Ortodokse dhe Akademinë e Shkencave Serbe. Planet e tyre të errëta janë të shkruara dhe të dokumentuara. Kosova nuk kërkon hakmarrje, por pret që kriminelët serbë të gjykohen.

         Në shkurt të vitit 2021, Presidenti Biden tha se “marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve duhet të përqendrohet rreth njohjes reciproke”. Ai e di këtë çështje më mirë se kushdo. Ai e di se si politikanët serbë gënjejnë, shtiren, mashtrojnë, trillojnë dhe luajnë viktimën.

         Është përtej çdo imagjinate pse diplomatët evropianë dhe amerikanë po përpiqen ta ndryshojnë drejtimin e tij. Është kaq e dhimbshme të shohësh një ambasador amerikan duke thënë se i vjen keq që Serbia ishte bombarduar për kryerjen e gjenocidit. Aq më tepër një tjetër diplomat amerikan që kërcënon qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Kosovës. Shpresojmë që të mund të kontaktoni personalisht me Presidentin Biden dhe të gjeni mënyrën për ta ndaluar këtë padrejtësi të paparë.

         Mikpritja dhe kodi i nderit i quajtur Besa janë vlera të mëdha të traditës shqiptare. Konsiderohet se shtëpia i përket mysafirit dhe Zotit. Në bazë të kësaj tradite populli shqiptar ka shpëtuar të gjithë hebrenjtë që jetuan ose arritën në tokat shqiptare gjatë Holokaustit. Jam shumë krenar që babai im Arif Aliçkaj ishte pjesë e kësaj përpjekjeje mbarëshqiptare. Shtëpia jonë sot ju përket juve Senator Menendez, mysafirëve dhe Zotit.

         Zoti e bekoftë popullin shqiptar!

         Zoti e bekoftë popullin amerikan!