Prishtinë, 11 gusht 2026 – Senatorja amerikane, Joni Ernst, po qëndron për vizitë në Kosovë, ku më 11 gusht është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.
Haxhiu, në një njoftim në Facebook, ka thënë se me senatoren republikane nga Ajova ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për çështjet e sigurisë dhe për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kosova do të vazhdojë ta ndërtojë të ardhmen e saj krah Shteteve të Bashkuara, duke forcuar një partneritet që për vendin tonë ka rëndësi të veçantë strategjike dhe historike”, ka theksuar ajo.
Haxhiu e ka vlerësuar senatoren Ernst si mike të dëshmuar të Kosovës dhe zë të rëndësishëm në mbështetje të partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo ka njoftuar se senatoren Ernst e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave, “për kontributin e çmuar në fuqizimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”.

Senatorja Ernst, e cila është anëtare e Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Senatit amerikan, është takuar sot në Prishtinë edhe me Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş.
KFOR-i njoftoi për takimin, por nuk dha hollësi për temat e diskutuara në takim.
“Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, priti senatoren Joni Ernst – senatore e Shteteve të Bashkuara dhe anëtare e Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura (SASC) – në selinë e KFOR-it në kampin ‘Film City’ në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë në platformën X.
Senatorja Ernst e ka vizituar të martën edhe Manastirin e Graçanicës, ku është takuar me mitropolitin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije.

Sipas njoftimit të Dioqezës, Teodosije ka shprehur “shqetësimin serioz të Dioqezës lidhur me përkeqësimin e situatës së sigurisë dhe asaj institucionale, si edhe me ndjesinë e pasigurisë gjithnjë e më të theksuar në mesin e popullatës serbe, e cila konsiderohet si përndjekje dhe diskriminim i hapur nga ana e autoriteteve të Kosovës”.
Sipas njoftimit të Dioqezës, në takim është diskutuar edhe për fillimin e integrimit gradual të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit dhe për tërheqjen graduale të pranisë së KFOR-it nga Ura e kryesore e Mitrovicës.
Senatoarja Ernst e kishte vizituar Kosovën edhe në vitin 2021. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo kishte shprehur mbështetje për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe aspiratave të Kosovës për anëtarësim në NATO.
(r.m.)