Serbët në Republikën Sërpska e glorifikojnë figurën e Mlladiqit

Banja Llukë, 27 gusht 2026 – Lajmi për vdekjen e ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është shoqëruar me glorifikime të figurës së tij në Republikën Sërpska, entitetin serb të Bosnjës e Harecegovinës.

Mlladiq, i cili ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-95 nga Gjykata Ndërkombëtare për krime të luftës, ka vdekur në moshën 84-vjeçare, në qelinë e burgut në Hagë.

Autoritetet në Republikës Sërpska e kanë vlerësuar figurën e Mlladiqit, duke e aminstuar për krimet e kryera nga forcat serbe ndaj civilëve muslimanë

Kryetari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) dhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha se Republika Sërpska nuk do ta harrojë rolin e Mlladiqit dhe se, pavarësisht nga “Sarajeva dhe presionet politike të Perëndimit”, mbetet e përkushtuar ndaj asaj që ishte Mlladiq, raportoi Radio Evropa e Lirë.

Dodik tha për televizionin “Informer” se Mlladiqi ishte komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska në luftën për lirinë e popullit serb, “pavarësisht se, duke shpikur përgjegjësinë kolektive, edhe atë e futën në historinë e përgjegjësisë për ngjarje të caktuara”.

Kryetari i Kuvendit Popullor të entitetit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, tha se Tribunali i Hagës “e përshpejtoi” vdekjen e Mlladiqit, me vendimin që të mos e lejoi të kurohet në Serbi,

Stasha Kosharac, ministër i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, shkroi në Instagram se Mlladiqi ishte “patriot, autoritet dhe njeri, prania e të cilit në kohët më të vështira i jepte popullit tonë forcë dhe inkurajim”.

“Gjenerali Mlladiq ishte, është dhe do të mbetet komandanti im”, shkroi Kosharac.

Kryetari i Banjallukës, Drashko Stanivukoviq, tha se “Mlladiqi mbetet një njeri, emri i të cilit është shkruar thellë në historinë tonë”.

“Njeri që, siç e kujtojnë shumë, i mbajti mbi shpatullat e tij momentet më të vështira të popullit të tij, që për popullin e tij mbajti sakrificën dhe vepra dhe emri i të cilit do të vazhdojnë të jetojnë”, shkroi Stanivukoviq në rrjetin X.

Ndërkaq, Mirosllav Bojiq, kryetar i Laktashit, qytet pranë Banjallukës, madje njoftoi në Facebook se në mbledhjen e Kuvendit të qytetit, më 21 shtator, do të propozojë që një nga rrugët e reja, ndërtimi i së cilës do të përfundojë vitin e ardhshëm, të emërtohet sipas, siç e quajti ai, “gjigantit” Ratko Mlladiq, nënkryetar i SNSD-së, partisë së Dodikut.

Beogradi zyrtar nuk ka reaguar ende lidhur me vdekjen e Mlladiqit.

Vetëm Partia e Lirisë dhe Drejtësisë në opozitë është distancuar nga krimet e luftës të kryera nga forcat serbe. Ajo ka shprehur keqardhje që brezat e rinj të serbëve që nuk kanë asnjë faj rriten me barrën e faktit se emri i Serbisë në botë lidhet me krimet e luftës dhe gjenocidin në Srebrenicë.

“Brezat e njerëzve që nuk morën pjesë në ato krime dhe që nuk mbajnë asnjë faj për to, janë rritur dhe do të rriten duke mbajtur barrën e faktit se emri i Serbisë në botë lidhet me krimet, veçanërisht me ato në Srebrenicë”, thuhet në deklaratë.

(r.m.)

Comment

*