Prishtinë, 7 gusht 2024 – Qindra pjesëtarë të komunitetit serb protestuan të mërkurën kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare, mes paralajmërimeve të qeverisë së Kosovës për hapjen e saj dhe kundërshtimeve të KFOR-it dhe diplomatëve perëndimorë.
Oratorët thanë se nuk ndjehen të sigurt nëse hapet ura, ndërsa akuzuan qeverinë në Prishtinë se po synin “spastrimin etnik të serbëve”.
Ish gjyqtari nga Mitrovica e Veriut, Nikolla Kabashiç, tha se pretendimet e autoriteteve në Prishtinë se hapja e urës do të bëhej për hir të bashkëjetesës, nuk janë të qëndrueshme.
“Ne këtu nuk ndjehemi të sigurt”, tha ai, duke theksuar se ura mund të hapet vetëm nëse palët bien dakord në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Javën e kaluar, qeveria e Kosovës u paraqiti diplomatëve perëndimorë në Prishtinë planin për hapjen e urës për lëvizjen e makinave. Aktualisht ura shfrytëzohet vetëm nga këmbësorët. Qeveria tha se “liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian”.
Por, diplomatët nuk e mbështesin synimin e qeverisë ndërsa të martën forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja paralajmëruan se “do të trajtojnë çdo zhvillim që ndikon mbi sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale”.
Diplomatët perëndimorë dhe forcat e NATO-s, thanë se çdo vendim për hapjen e urës, duhet të merret në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.
Marrëveshja për lëvizje të lirë që ishte arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2014 bëri të mundur që në gusht të vitit 2016 të fillojnë punimet për zhbllokimin e urës. Bashkimi Evropian investoi 1.2 milion euro për revitalizimin e urës, e cila megjithatë mbeti e mbyllur për lëvizjen e makinave.
(Zëri i Amerikës)