Serbët protestuan në veri të Kosovës

Prishtinë, 6 nëntor 2022 – Të dielën në veriun e Kosovës u mbajtën protesta të organizuara nga Lista Serbe, subjekti kryesor politik serb, një ditë pas vendimit të kësaj liste për t’u tërhequr nga institucionet e vendit. Vendimi pasoi mospajtimet rreth vendimit të autoriteteve të Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit politikë të serbëve akuzuan qeverinë e Kosovës për moszbatim i marrëveshjeve të Brukselit.

“Ne duam paqe, paqe dhe vetëm paqe, dhe ju lutemi mos bini në provokime. Ne do të vazhdojmë luftën tonë me mjete paqësore dhe demokratike, nuk jemi faktor përçarës dhe nuk do të kërcënojmë askënd. Ne vetëm duam që ajo që është nënshkruar për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe dhe për të përmbushur detyrimet siç është rënë dakord në Bruksel, natyrisht, për të tërhequr të gjitha vendimet e njëanshme në lidhje me targat”, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç tha se serbët në Kosovë kanë bërë përpjekje vazhdimisht për të zgjatur dorën e pajtimit.

“Dorëheqjet e të gjithëve nga lista serbe, gjykatësve dhe policëve nuk janë rezultat i lodhjes nga lufta por sepse nuk duam të jemi mbulesë për institucionet e Kosovës që të vazhdojnë të ushtrojnë dhunë institucionale ndaj popullit tonë”, tha zoti Simiç.

Të dielën, kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zubin Potok dhe Zveçanit, katër komuna këto në veriun e Kosovës dhanë dorëheqje nga postet e tyre së bashku me këshilltarët komunal nga radhët e Listës Serbe.

Edhe pjesëtarët serbë të policisë së Kosovës në veriun e vendit dorëzuan të dielën në mënyrë të organizuar letrat e dorëheqjes nga policia e Kosovës e cila tha se “kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara”.

Përfaqësuesit politikë të serbëve thanë se nuk do të kthehen në institucione derisa autoritetet në Prishtinë nuk tërhiqen nga vendimi siç e quajtën të njëanshëm për targat dhe derisa të formohet Asociacioni i komunave serbe në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha sot se veprimet e fundit në veriun e vendit janë përpjekje të Serbisë për të destabilizuar Kosovën.

“Një përpjekje e tillë do të jetë e pasuksesshme sepse shteti ynë është i fortë duke qenë demokratik dhe duke qenë i rreshtuar drejt me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se ka mundësi që Serbia nuk ka dëshirë që të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog dhe ka zgjedhur rrugën e destabilizimit. Ai tha se është në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për gjendjen aktuale.

“I ftoj edhe njëherë të gjithë qytetarët serbë të vendit tonë që të mos i braktisin institucionet që të mos japin dorëheqje, që të mos i lëshojnë vendet e punës sepse në këtë mënyrë vetëm dobësohet shërbimi ndaj qytetarëve. Ata nuk kanë presion nga ne, ata kanë thirrje dashamirëse prej neve, presionin e kanë nga Beogradi i cili dëshiron destabilizimin të Kosovës, mirëpo nuk do të mund ta bëjnë këtë”, tha kryeministri Kurti.

Vendimi i serbëve nxiti reagime të zyrtarëve ndërkombëtarë që bënë thirrje për ruajtjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në veriun e Kosovës.

(Zëri i Amerikës)