Serbia bëri marrëveshje 1.64 miliardë dollarëshe me gjigantin izraelit të armëve

Jerusalem, 18 gusht 2025 – Mediat në Izrael kanë raportuar se Serbia ka bërë marrëveshje me vlerë 1.64 miliardë dollarë me gjigantin izraelit të mbrojtjes “Elbit Systems”.

Javën e kaluar, “Elbit” ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje për furnizim me sisteme artilerie raketore me rreze të gjatë dhe të dronëve, por nuk e njoftoi se kush është klienti.

“Times of Israel” raporton se, sipas marrëveshjes pesëvjeçare, “Elbit” do ta furnizojë Serbinë me një sërë dronësh luftarakë me inteligjencë artificiale, duke përfshirë edhe dronë që operohen personalisht për përdorime taktike dhe operacionale.

Marrëveshja përfshin edhe furnizimin me raketa artilerie me precizion të lartë dhe me produkte të teknologjisë së avancuar për inteligjencë, survejim, identifikim objektivash dhe zbulim (ISTAR), si dhe për sisteme komunikimi dhe inteligjencë sinjalistike. Paketa përfshin gjithashtu dorëzimin e sistemeve të avancuara elektro-optike dhe pajisjeve të shikimit gjatë natës.

(r.m.)