Serbia blen avionë nga Franca për të fituar mbështetjen e Parisit për çështjen e Kosovës

(Koment i redaksisë së gazetës së pavarur serbe “Danas”)

 

Njoftimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se gjatë vizitës së tij zyrtare në Paris është arritur marrëveshje për blerjen e 12 avionëve ushtarakë francezë të tipit “Rafale” u prit me komente negative të profesionistëve, të cilët e konsiderojnë këtë si një derdhje të panevojshme të parave.

Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se, në kuptimin ushtarak, blerja e këtyre avionëve nga Serbia, e cila është e rrethuar kryesisht nga anëtarë të NATO-s, nuk do të thotë pothuaj asgjë dhe se “Rafalet” nuk do të sjellin asnjë përfitim në një konflikt eventual me një ushtri më të madhe dhe më të fortë se ajo e vendit tonë.

Gjithashtu, ekspertët mendojnë se investimi, i cili llogaritet të jetë rreth tre miliardë euro, është tepër i madh dhe se do të ishte shumë më mirë që këto para të shpenzohen për projekte të infrastrukturës dhe energjetikës, si edhe për krijimin e kushteve për një mjedis më të favorshëm për ekonominë dhe për investime më të mëdha në arsim e në shëndetësi.

Se blerja e “Rafaleve” francezë është shumë e kushtueshme dëshmon fakti se shuma e paraver që duhet të sigurohet për këtë blerje është më e madhe se, për shembull, shuma e nevojshme për organizimin e panairit Expo 2027, nikoqir i të cilit ëashtë kryeqyteti i vendin tonë, i cili llogaritet se do të kushtojë rreth 2.5 miliardë euro.

Autoritetet në Serbi mund ta sigurojnë një shumë kaq të madhe vetëm përmes huave të reja, por rrethanë rënduese përbën fakti se Serbia tashmë është e stërngarkuar me borxhe, gjë që qartazi na shtyn hap pas hapi drejt të ashtuquajturës robëri borxhliu.

Është e rëndësishme të theksohet se me paratë që do të ndahen për blerjen e “Rafaleve” do të mund të ndërtoheshin hidrocentralet reversibile “Bistrica” (1.2 miliardë euro) dhe “Gjerdapi 3” (1,4 miliardë euro), ndërsa tre miliardë euro janë thuajse të mjaftueshme për ndërtimin e korridorit të Moravës, i cili kushton 1.6 miliardë euro, dhe të autostradës së shpejtë Sombor – Kikindë, me vlerë 1.5 miliardë euro.

Është plotësisht e qartë se vendimi i autoriteteve kompetente për blerjen e “Rafaleve” është i motivuar vetëm në përpjekje që nga Parisi të fitohet një mbështetje e caktuar politike, sepse Beogradi është në hall të madh për shkak të presionit të vendeve perëndimore për zgjidhjen e çështjen e Kosovës.

Sido që të jetë, mund të konstatohet se vendimi për blerjen e “Rafaleve” është një tjetër lëvizje e gabuar në serinë e lëvizjeve të tilla të autoriteteve serbe, si subvencionimi i investitorëve, taksa e ulët në fitim dhe konsumi i tepruar, të cilat janë njësoj kundër interesave jetike të qytetarëve dhe të shtetit.

(r.m.)