Serbia e fajëson Kosovën për vrasjen e një polici në Serbi

Beograd, 18 korrik 2024 – Autoritetet e Serbisë i akuzuan institucionet e Kosovës për vrasjen e një zyrtari të policisë serbe dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, e ka cilësuar vrasjen si akt terrorist të “strukturave shqiptare”. Ai ka thënë se prokuroria do ta trajtojë rastin si të tillë.

“Ky s’mund të jetë një aksident. Ky është një akt i qartë terrorist që vjen nga Kosova, nga strukturat shqiptare. Prokuroria për krim të organizuar do ta trajtojë rastin si akt terrorist sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka deklaruar Daçiq për Televizionin shtetëror të Serbisë.

Në Lloznicë, qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnjën e Hercegovinën, në orët e para të ditës së enjtes, është vrarë një polic serb dhe është plagosur rëndë një tjetër. Sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur një pasaportë e lëshuar nga autoritetet e Kosovës me emrin e Artan Hajrizit dhe një dokument gjerman i identifikimit.

Daçiq tha se po verifikohet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është vetë Artan Hajrizi apo vëllai i tij, Faton Hajrizi, i cili është arratisur nga burgu në Kosovë, para rreth dy javësh.

“Është e mundur që ky është identitet i rremë”, tha Daçiq.

Artan Hajrizi deklaroi për mediat në Kosovë se ai gjendet në Gjermani dhe se i vëllai i tij, Fatoni, kishte qenë në banesën e tij para dy ditësh dhe ia kishte vjedhur pasaportën.

Por, Daçiq i cilësoi të rreme këto pretendime, duke theksuar se kjo dëqshmon se bëhet fjalë për një “akt të organizuar”.

“Personi i cili i ka dokumentet në policinë tonë, Artan Hajrizi, sot në orën 11:55 ka deklaruar në policinë e Hanoverit se pardje vëllai i tij Fatoni ia ka vjedhur dokumentet personale në banesën e tij në Hanover. Është një gënjeshtër klasike. Sipas cilës logjikë një person nga Hanoveri kthehet ilegalisht në Preshevë dhe tenton të shkojë sërish ilegalisht në Gjermani? Kjo tregon qartë se është rënë dakord më herët dhe se është një akt i organizuar”, tha Daçiq.

Ai kërkoi që policia gjermane dhe nga EULEX-i të zbulojnë nëse Faton Hajrizi ka qenë në Hanover dhe, nëse po, si ka dalë nga Gjermania, si ka përfunduar në Preshevë dhe për çfarë qëllimi.

“Pasoja e atij akti dhe organizimi terrorist është vrasja e një polici dhe për këtë kërkojmë dhe presim bashkëpunim të plotë me policinë gjermane dhe EULEX-in dhe jo gënjeshtra që askush nuk u beson”, theksoi Daçiq.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar se deri më tash janë arrestuar tre persona lidhur me rastin.

Mithat Haxhiq nga Tutini është arrestuar si i dyshuar se e ka vozitur të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës. Një shtetas tjetër i Serbisë, me inicialet Z.R. është arrestuar në Bijelinë, në Republikën Sërpska, si i dyshuar për organizimin e transportimit të autorit. Ndërkaq në Mlladenovc, në Serbi është arrestuar I.R., bashkëshortja Z.R. të arrestuar në Bijelinë, si  e dyshuar si bashkëpunëtore në organizimin e transportimit të autorit të vrasjes.

(r.m.)