Beograd, 16 tetor 2025 – Serbia ka reaguar ashpër pas raportimeve se pjesëtarë të Forxës së Sigurisë së Kosovës me disa automjete janë futur gabimisht në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, pasi e kishin ngatërruar drejtimin e lëvizjes.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se autoritetet e Kosovës, të udhëhequra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, “kanë dërguar dy kamionë dhe katër automjete ushtarake, Hummer, të FSK-së” në veri, një ditë pas vizitës në Kosovës të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila kërkoi uljen e tensioneve në vend.
Ajo ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare që të reagojë për këtë ngjarje, të cilën e ka cilësuar këtë si “shkelje të drejtpërdrejtë të garancive të forta të NATO-s.
Pas kësaj ngjarjeje, ka reaguar edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që e ka mbështetjen e Beogradit. Ajo ka thënë se shkuarja e FSK-së në Mitrovicë të Veriut “ka shkaktuar shqetësim në mesin e popullit serb dhe ka rritur tensionet”.
“Ky veprim përbën një provokim të rrezikshëm dhe të qëllimshëm, të drejtuar drejt destabilizimit të situatës në terren dhe shkaktimit të frikës e pasigurisë te populli serb”, ka thënë kjo parti.
Lista Serbe i ka kërkuar KFOR-it një prani më të madhe në pjesën veriore të Kosovës, siç ka thënë, “për të parandaluar përpjekjet e reja për veprime të njëanshme dhe për të mbrojtur paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve”.
Lista Serbe ka paralajmëruar se “veprime të tilla janë të papranueshme dhe mund të kenë pasoja serioze për stabilitetin e rajonit”.
FSK – e cila duhet të marrë leje nga misioni i NATO-s në Kosovë për të lëvizur në këtë pjesë të vendit – tha se incidenti ndodhi rreth orës 10:30 të së enjtes, gjatë lëvizjes së konvojit nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë.
(r.m.)