Serbia kërkon që kufirin e Kosovës ta ruajë vetëm KFOR-i

Beograd, 25 tetor 2023 – Serbia insiston që vetëm pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, të kontrollojnë kufirin e Kosovës me Serbinë.

Këtë ia ka thënë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ministrit të Mbrojtjes së Turqisë, Jashar Guler, të mërkurën, në Beoograd.

“Ne insistojmë që vetëm pjesëtarët e KFOR-it të jenë të pranishëm përgjatë vijës administrative nga ana e Kosovës e Metohisë. Po ashtu, të vazhdojnë patrullimet e përbashkëta të pjesëtarëve të Ushtrisë Serbe me ata të KFOR-it përgjatë vijës administrative”, ka thënë Vuçeviq.

Ai ka thënë se serbët në Kosovë “nuk kanë problem me praninë e pjesëtarëve të KFOR-it” dhe se “prania e tyre ul tensionet dhe çon drejt shtensionimit” në pjesën veriore të Kosovës.

Ministri serb i Mbrojtjes ia ka thënë këtë homologut të tij turk, për shkak se komandant i KFOR-it aktualisht është gjenerali turk Ozkan Kutulush. Ai ka kërkuar “komunikim të drejtëpërdrejtë” të komandantit të KFOR-it me shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.

“Ne fuqishëm inkurajojmë një komunikim të drejtpërdrejtë mes shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë dhe komandantit të KFOR-it”, ka thënë Vuçeviq.

Ndërkaq, ministri turk i  Mbrojtjes  ka thënë se vendi i tij e  konsideron prioritet rendin e sigurinë në Kosovë

“Shteti ynë, që ka marrë komandën e KFOR-it, do të vazhdojë t’i japë prioritet stabilitetit, sigurisë dhe rendit”, ka thënë ai.

Guler ka thënë se Turqia e konsideron dialogun mënyrë të vetme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Serbia e quan “vijë administrative” vijën e kufirit me Kosovën, për shkak se Kosovën e konsideron si krahinë të saj.

Kufirin e Kosovës me Serbinë e ruajnë Policia Kufitare e Kosovës dhe KFOR-i.

(r.m.)