Beograd / Prishtinë 24 maj 2025 – Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka lëshuar fletarrestim ndaj policit të Kosovës, Dylot Brahimi, i cili ka ndërhyrë në incidentin e së premtes në Mitrovicë të Veriut, kur maturantë serbë marshuan në shesh.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka akuzuar policin Brahimi për “sulm fizik” dhe për “lëndim” të një nxënësi serb që po festonte mes një grupi maturantësh.
“Ministria e Brendshme ka lëshuar një urdhër arresti për Dylot Brahimin, një oficer policie i institucioneve të përkohshme në Prishtinë, i cili dje në fund të vitit shkollor në veri të Mitrovicës sulmoi fizikisht dhe plagosi një nxënës serb të shkollës së mesme. Brahimi do të arrestohet kur të jetë në dispozicion të policisë serbe, nga sot e tutje, pa afat parashkrimi, sa herë që të jetë e mundur”, ka thënë Daçiq.
Ai ka thënë se fletarrestimi për policin Dylot Brahimi nuk do të shfuqizohet asnjëherë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka kërkuar gjithashtu “përfshirje të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve ndërkombëtarë në mbrojtjen e të drejtave të popullit serb dhe pezullim të mbështetjes politike e logjistike për Policinë e Kosovës derisa të vendoset llogaridhënia dhe respekti për të drejtat themelore të serbëve në Kosovë”.
Në videoregjistrimet që po qarkullojnë në rrjetet sociale shihet një nga maturantët në paradë duke ua treguar gishtin e mesëm klinetëve të një kafeneje pranë vendit ku po festonin maturantët serbë, ndërsa njëri prej klientëve iu përgjigj provokimit duke e bërë me duar shqiponjën dykrenore, simbolin kombëtar shqiptar.
Në video shihet edhe momenti që një pjesëtar i Policisë së Kosovës, Dylot Brahimi, përpiqet ta ndalolojë maturantin serb që të mos vazhdonte me provokime.
Policia e Kosovës tha se zyrtari I saj Dylot Brahimi ka reaguar me qëllim të parandalimit të përshkallëzimit të situates. Ajo tha se menjëherë pas incidentit situata është qetësuar dhe festa e maturantëve serbë ka vazhduar.
Mministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se polici kishte vepruar në mënyrë “profesionale” dhe se ndërhyrja kishte për qëllim të ndalte përshkallëzimin pas provokimeve nga disa maturantë që përdorën simbole nacionaliste dhe brohoritje shoviniste si “Kosova është zemra e Serbisë”.
Sveçla publikoi në Facebook një video ku dëgjohen maturantët duke kënduar këngën “Vidovdan” dhe duke bërtitur “Kosova është zemra e Serbisë” pranë urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicën e Veriut.
(r.m.)