Beograd, 14 mars 2026 – Në Serbi është mirëpritur vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që për qytetarët serbë të bëhen disa lëshime gjatë zbatimit të Ligjit për të Huajt.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se zgjidhja e arritur në lidhje me zbatimin e Ligjit për të huajt në Kosovë përbën një lehtësim për popullin serb.
“Edhe pse nuk ka zgjidhje të bukura dhe të lehta, është arritur një model, për hollësitë e të cilit jam në dijeni. Jam mirënjohës për përpjekjet e evropianëve që donin të shmangnin katastrofën e ndonjë konflikti”, tha Vuçiq.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se zgjidhja e arritur do ta mundësojë funksionimin e pandërprerë dhe normal të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe.
Në një konferencë për shtyp, ai theksoi se gjatë javëve të fundit është punuar me BE-në për të gjetur një zgjidhje dhe se është shmangur “skenari më i keq i mundshëm i mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë”.
Ndërkohë, zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se vendimi është “rezultat i punës së madhe dhe diplomacisë”.
Ai shtoi se të gjitha institucionet arsimore dhe shëndetësore do të vazhdojnë të funksionojnë si deri tani, në sistemin e Serbia.
Simiq gjithashtu sqaroi se rreth 7.200 pjesëtarë të komunitetit serb nuk kanë dokumente të Kosovës për arsye të ndryshme dhe se atyre do t’u mundësohet t’i marrin ato “në mënyrë që të jetojnë normalisht në këto hapësira”.
Megjithatë, Simiq – cili është deputet në Kuvendin e Kosovës nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës – e përsëriti kundërshtimin e serbëve për integrimin e institucioneve të tyre në sistemin kosovar.
“Kur bëhet fjalë për procesin e regjistrimit të studentëve, profesorëve dhe punonjësve shëndetësorë, ai do të realizohet përmes institucioneve tona arsimore dhe shëndetësore, me mbështetjen e plotë të kryetarëve serbë të komunave”, tha Simiq.