Prishtinë, 18 maj 2026 – Serbia synon të ndërhyjë te votuesit serbë në Kosovë edhe në zgjedhjet e 7 qershorit, duke i ftuar ata që të votojnë Listë Serbe – parti kjo e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka ftuar serbët në Kosovë që në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit ta votojnë Listën Serbe, partinë që kontrollohet nga Beogradi zyrtar.
Në një tubim të një shoqate nga rajoni i Zubin Potokut, të mbajtur në Kragujevc, Petkoviq ka thënë se vetëm fitorja e Listës Serbe është “garanci për mbijetesën e serbëve në Kosovë”.
“Ju të gjithë e dini se po afrohen zgjedhje të tjera të rëndësishme, e kuptoj që njerëzit janë të lodhur sepse kemi shumë procese zgjedhore dhe një krizë të madhe politike dhe paqëndrueshmëri në Prishtinë, por detyra jonë është që të durojmë dhe të luftojmë dhe të jemi të bashkuar, të përbashkuar dhe të vendosur si më parë. Prandaj ky tubim është një mundësi për t’ju ftuar të gjithëve të shkoni në zgjedhje më 7 qershor dhe të votoni për Listën Serbe, sepse fitorja e Listës Serbe në këto zgjedhje është një garanci për mbijetesën e serbëve në Kosovë, garanca se ne do të vazhdojmë të ndërtojmë komunitetet tona dhe të investojmë në to”, ka thënë ai.
Petkoviq ka theksuar se vetëm Lista Serbe ka mbështetjen e Qeverisë së Serbisë dhe të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Kjo nuk është hera e parë që Beogradi zyrtar ndërhyn në zgjedhjet e Kosovës. Këtë e ka bërë rregullisht në zgjedhjet lokale dhe në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Dhe ndërhyrja e Serbisë në proceset zgjedhore është bërë në forma të ndryshme, duke përdorur edhe presionet, kërcënimet dhe shantazhet ndaj votuesve serbë. Ka pasur raste që kandidatët që nuk kanë qenë anëtarë të Listës Serbe edhe të detyrohen të tërheqin kandidaturat e tyre.
Ndërhyerja e strukturave shtetërore të Serbisë në zgjedhjet e Kosovës është konstatuar edhe në raportin e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve për vitin 2025. Në raport përmendet çështja që i bën më të cenueshëm votuesit serbë – marrja e pagesave nga skemat sociale e të punësimit nga Serbia.
“Sidoqoftë, Lista Serbe mbeti dominante brenda komunitetit serb të Kosovës, duke marrë mbështetje nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe duke u mbështetur në mediat serbe dhe mediat e vogla serbe të Kosovës për fushatën e saj. Përveç kësaj, u raportua presion mbi votuesit, të varur nga ndihma sociale dhe punësimi serb. Në përgjithësi, komunat me shumicë serbe të Kosovës panë një fushatë relativisht të ndrydhur krahasuar me komunat e tjera”, thuhet në raportin e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të dhjetorit 2025.
Në zgjedhjet e 7 qershorit do të garojnë katër subjekte politike të komunitetit serb.
Pos Listës Serbe, për përfaqësim në Kuvendin e Kosovës do të garojnë edhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Aleanca e Kosovës dhe Iniciativa qytetare Bashkë Fitojmë, ku janë përfshirë subjektet politike si SNP, SZS e DS.
Në dy palët zgjedhjet e fundit, Lista Serbe i ka fituar 9 ulëse nga 10 vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Ulësen e dhjetë e ka fituar Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili ka qenë anëtar i kabinetit qeveritar në dy mandatet e fundit qeverisëse.
Rashiq ka qenë shumë shpesh në shënjestër të sulmeve dhe etiketimeve nga Beogradi, madje edhe personalisht nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
(r.m.)