Preshevë, 4 gusht 2025 – Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, njoftoi se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e ka refuzuar kërkesën autoriteteve komunale të Preshevës për hapjen e vendkalimit kufitar Miratoc-Llojan, në kufirin mes Serbisë e Maqedonisë së Veriut.
“Më 29 korrik 2025, kemi pranuar një përgjigje zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë në lidhje me kërkesën e paraqitur më 19 maj 2025 për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut, në territorin e fshatit Miratoc”, ka shkruar Sinani në Facebook.
Ajo ka treguar se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, në përgjigjen zyrtare ndaj kërkesës së komunës së Preshevës, ka thënë se se “rruga kalon përmes fshatit Miratoc” dhe se “mungojnë kushtet infrastrukturore për kontrollin kufitar”.
Sinani e cilëson të paqëndrueshëm arsyetimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
“Ky arsyetim nuk qëndron dhe është i papranueshëm. Shumica e vendkalimeve kufitare të këtij niveli në rajon – përfshirë ato ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – kalojnë përmes apo pranë vendbanimeve. Shembulli më konkret është vendkalimi “Dheu i Bardhë”, rruga e të cilit kalon nëpër fshatrat Lluçan dhe Konçul, zona të banuara ku çdo ditë qarkullojnë edhe mjete të rënda transporti. Asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje funksionimi i atij vendkalimi për shkak të kalimit nëpër vendbanime”, ka shkruar Sinani.
Sipas Sinanit, refuzimi i hapjes së vendkalimit kufitar Miratoc – Llojan nuk ka të bëjë me kushte teknike, por me motive politike.
“Nga kjo përgjigje kuptojmë qartë se nuk kemi të bëjmë me një pengesë teknike, por me një problem politik, përkatësisht me mungesë të vullnetit institucional nga ana e shtetit serb”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se komuna e Preshevës do të vazhdojë të kërkojë me këmbëngulje hapjen e këtij vendkalimi kufitar.
“Si institucion lokal, do të vazhdojmë të kërkojmë me këmbëngulje dhe të punojmë me përkushtim për realizimin e kësaj kërkese të drejtë e legjitime të qytetarëve tanë”, ka thënë ajo.
“Hapja e vendkalimit Miratoc–Llojan është një domosdoshmëri për lëvizje të lirë, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim ndërkufitar. Institucionet shtetërore duhet të jenë konsekuente dhe të veprojnë mbi bazën e dokumenteve që vetë i kanë nënshkruar. Kjo nuk është thjesht një kërkesë lokale – është një e drejtë e qytetarëve tanë”, ka theksuar kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Distanca mes fshatit Miratoc të komunës së Preshevës dhe fshatit Llojan të komunës është vetëm rreth 1.5 kilometra. Por, për të udhëtuar nga njëri fshat në tjetrin duhet kaluar 40 kilometra dhe pritje të gjata në kolona në vendkalimin kufitar në Tabanoc, në autostradën Preshevë – Kumanovë.


(r.m.)