Serbisë duhet t’i hiqet e drejta e “kujdestarit” të serbëve në Ballkan

Mehmet PRISHTINA

Është koha që amerikanët të organizojnë një konferencë ndëkombëtare, e cila do t’i vendoste parametrat bazë për shtetësinë e Kosovës, qëndrueshmëria e së cilës nuk do të mund të varej nga fqinjët e saj, e më së paku nga Serbia. Kësaj të fundit duhet t’i merret edrejta e të qenit “kujdestare” e serbëve në Ballkan, sepse jo vetëm serbët, por edhe kombet e tjera, përfshirë shqiptarët, jetojnë në disa shtete. Nëse Serbisë i lejohet kjo e drejt, Kutia e Pandorës do të mbetet e hapur dhe Ballkani muk do të gjejë qetësi.

 

Nëse i referohemi mjediave të Beogradit, Presidenti serb Vuçiq ka marrë nga dy këshilltarët e Macron dhe Scholz, gjatë vizitës së tyre në Serbi, një propozim për një kornizë krejtësisht të re për bisedimet në Bruksel, e cila, siç ka thënë Vuçiq, duhet të çojë tek zgjidhja përfundimtare me Republikën e Kosovës.

Por në anën tjetër, zgjidhja përfundimtare duket të jetë një makth për Vuçiqin, pasi që ai edhe pas takimit me delegacionin evropian përsëriti qëndrimin se kurrë nuk do ta njeh shtetin e Kosovës.

Pas angazhimit shtesë të diplomatëve nga Parisi dhe Berlini, si mbështetje të negociatorit Lajçkak, procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka gjasa të hyjë në një faze të re, me një qasje pak a shumë të ndryshme. Kjo edhe për faktin se, siç tha Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, shtetet e Quint-it – Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe SHBA-ja – po krijojnë një zë të përbashkët lidhur me këtë proces. Sipas Janjiqit Quint-i mund të jetë duke përgatitur një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë.

Pavarësia e Kosovës, si projekt i inicuar nga forcat liridashëse e përparimtare të Kosovës dhe i ndihmuar nga SHBA, BE e NATO, vazhdon të jetë temë dilemash e bisedimesh në Beograd dhe përderisa është kështu zgjidhja përfundimtare, të cilën po e kërkojnë kaq shumë ndërkombëtarët, nuk mund të arrihet pa një vetëdijësim të klasës politike, proces ky mjaft i ngadalshëm. 

Se ky proces vështirë po ecë në Beograd, tregon edhe një analizë e Grupit ndërkombëtar të krizave, i cili qysh në vitin 2006 tërhiqte vërejtjen se “Serbia duhet të inkurajohet që të angazhohet në projektin për pavarësinë e Kosovës dhe të nxjerr përfitimet më të mëdha të mundshme për interesat e saj afatgjate dhe për minoritetin serb në Kosovë, nga ky proces, por duke ia bërë të qartë se nuk e ka të drejtën e vetos mbi vendimin e bashkësisë ndërkombëtare për statusin e Kosovës”.

Pra, Kosova, sipas diskursit serb, edhe pse ka shpallur pavarësinë para 15 viteve, sërish nuk mund të quhet një shtet i përfunduar, sepse kjo po varet nga krerët e Beogradit të cilët gjatë bisedimeve me ndërkombëtarët e paraqesin Kosovën sikur të ishte problem i brendshëm i Serbisë.

Nga kjo grackë serbe nuk kishin mundur të shpëtonin edhe politikanët e Kosovës që udhëhoqën dialogun me Serbinë, të cilët pranuan të rinegocojnë për statusin e Kosovës. Pasojat e këtij keqmenaxhimi të dialogut, po vërehen sot kur Kosova është e detyruar të bisedojë me Beogradin për statusin e serbëve lokal sikur ata të ishin shtetas të Serbisë e jo të Kosovës. Kjo ka ndikuar që edhe diplomatët perendimorë të jenë të kujdeshëm dhe hezitues, duke ndjekur inercinë e dikursit serb sipas të cilit Kosova ka ende punë për të bërë deri sa të bëhet shtet funksional. Me fjalë të tjera, Kosova bëhet shtet funksional vetëm atëherë kur do të formojë Asociacionin e e komunave me shumicë serbe, një kërkesë kjo që u përsërit edhe nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë vizitës në Kosovë e cila tha se “është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë”, ndërkohë që kryeministri Kurti është kundërpërgjigjur duke thënë se  Kosova nuk mund të pranojë formimin një “asociacioni njëetnik”.

Komuniteti ndërkombëtar, në anën tjetër, vazhdimisht përsërit se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

Kohët e fundit në mediat serbe ka qarkulluar edhe një ofertë perëndimore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës sipas modelit të dy Gjermanive. Këtë e ka konfirmuar edhe njëri nga  bashkëpunëtorët e Vuçiqit, Milovan Drecun sipas të cilit “Duket se oferta perëndimore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës do të jetë modeli i dy Gjermanive me krijimin e Asociacionit, por, me kompetenca ndryshe nga ajo e marrëveshjes”.

Modeli i dy gjermanive që ofrohet për të rregulluar raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka hasur në miratimin e klasës politike të Kosovës, por as të vëzhguesve ndërkombëtarë. Javë më parë studiuesja e komunikimit Suzana Starikov ka komentuar raportimet e gazetës serbe “Danas”, duke iu referuar disa burimeve diplomatike, se Perëndimi mund të aplikojë modelin e dy Gjermanive për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi. Ajo ka thënë se i duhet thënë jo kësaj ideje që ia mohon shtetësinë Kosovës.

“Ajo që autorët e këtij modeli, siç raportohet, Gjermania dhe Franca po kërkojnë nga Kosova, është të mohojë shtetësinë e vet dhe madje të turpërohet nga ajo. Serbia nuk duhet të parandalojë direkt anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, por i dërguari i Kosovës në OKB nuk duhet ta quajë veten ambasador. Përgjigja për këtë? JO! NEIN! JO!”.  Strikov e ka quajtur model cinik që mohon historinë. Ajo ka shkruar se ndarja mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e njëjtë sikur ndodhi ndarja e Kosovës nga Shqipëria. “Pavarësisht nga fakti që ky “model” në të vërtetë paraqet status quo-në si “progres” në njohjen e Kosovës nga Serbia është gjithashtu cinike në mohimin e historisë”.

Përderisa Qeveria e Kosovës mirëpret “përkushtimin shtesë të dy shteteve të rëndësishme të Bashkimit Evropian” – Gjermanisë dhe Francës – në arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me “njohjen reciproke në qendër”, autoritetet në Serbi nuk e komentuan publikisht angazhimin shtesë të Gjermanisë dhe Francës në dialog.

Në zhargonin diplomatik ndërkombëtar është futur edhe sintagma “kërkesa maksimaliste”, e cila është bërë pengesë për arritjen e kompromisit në mes të Kosovës dhe Serbis, e që i atribuohet qëndrimeve ekstreme të Beogradit dhe Prishtinës. Ndonëse një sintagmë e tillë godet më tepër Kosovën, ajo megjithatë nuk është bërë pengesë të përdoret nga diplomatët si një instrument për të amortizuar pakënaqësitë eventuale gjatë procesit të dialogiut. Se kjo është kështu vëreteton edhe qëndrimi i diplomacisë amerikane, sipas së cilës kërkersat e ashtuquajtura maksimaliste nga të dyja palët do të duhej të pësojnë “hekurosje”, sidomos pas letrës së para disa muajve të Antony Blinken, i cili kishte adresuar disa detyra që duhet t’i kryejnë Prishtina dhe Beogradi, të përmbledhura në tri çështje kruciale: njohja reciproke, respektimi i të drejtave të minoriteteve (aludohet në statusin e serbëve), përfshi edhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore që kanë të bëjnë me ta (aludohet në statusin e tokës përreth Manastirit të Deçanit) si dhe çështja e të pagjeturve ( aludohet në detyrimet e autoriteteve serbe për identifikimin e vendndodhjeve të varrezave masive me shqiptarë të ekzekutuar).

Prej të gjitha këtyre çështjeve, statusi i serbëve mbetet “thembër Akli” për politikën e Kosovës. Nga mënyra si është trajtuar deri më tani kjo çështje, sidomos në vitet e mëhershme, Kosova ka demonstruar një qëndrim defanziv, duke pranuar gjithçka që është servirur në tryezën e bisedimeve. Si rezultat i këtyre qëndrimeve është projektuar edhe narrativi i Beogradit mbi statusin e mjerueshëm të serbëve të Kosovës i cili me patjetër duhet përmirësuar, paçka se Pakoja e Ahtisarit kishte ofruar garanca shtesë për minoritetin serb në Kosovë, përfshi edhe ulëset e garantuara në Parlament, madje edhe përtej konventave ndërkombëtare.

Tani çka i mbetet të ndërmerr Qeveria Kurti që të gjitha gjërat të biejnë në vendin e vet, pa shkaktuar ndonjë pakënaqësi te njëra palë, apo te tjetra. Me fjalë të tjera, çak duhet të bëjë Qeveria e z. Kurti që, në njërën anë, të plotësohen disa ambicje të Serbisë por me kush që të ruhet sovraniteti i Kosovës, dhe në anën tjetër, të demonstrohet politika e vendimarrjes autonome kosovare por pa i prishur raportet me amerikanët.

Këto dhe pyetje tjera të vështira, Qeveri e Kosovës duhet t’i shqyrtojë me miqtë amerikanë, duke kërkuar nga ata garanca shtesë për dy çështje tepër të rëndësishme: që Kosova të bëjë kompromis deri në kufinjt e moscenimit të sovranitetit të saj dhe të kërkoj reciprocitet në mes të drejtave të shqiptarëve në Jug të Serbisë dhe serbëve në Kosovë.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk ka pasur një emërues të përbashkët në qendrat kryesore vendimmarrëse botërore, për faktin se Washingtoni ka një qasje tjetër ndaj këtij procesi, duke imponuar zgjidhje të shpejt dhe gjithpërfshirëse, ndërkohë që Brukseli dhe disa kancelari evropiane këtë proces e shohin ende të papërfunduar, për të cilin ka ende punë për t’u bërë.

Si përfundim, ajo çka mund të përshkruhet dhe përmblidhet me pak fjalë situata aktuale nëpër të cilën po kalon Kosova, si pasojë e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë, është fakti se ka ardhur koha që shtetësia e Kosovës duhet të kalojë në fazën e konsolidimit, por kjo nuk mund të arrihet pa ndihmën e amerikanëve dhe NATO-s. Prandaj është koha që amerikanët të organizojnë një konferencë ndëkombëtare, e cila do t’i vendoste parametrat bazë për shtetësinë e Kosovës, qëndrueshmëria e së cilës nuk do të mund të varej nga fqinjët e saj, e më së paku nga Serbia. Kësaj të fundit duhet t’i merret edrejta e të qenit “kujdestare” e serbëve në Ballkan, sepse jo vetëm serbët, por edhe kombet e tjera, përfshirë shqiptarët, jetojnë në disa shtete. Nëse Serbisë i lejohet kjo e drejt, Kutia e Pandorës do të mbetet e hapur dhe Ballkani muk do të gjejë qetësi.

Prishtinë, 10 shtator 2022