Prishtinë, 16 shtator 2025 – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të martë filloi gjykimi i Jellena Gjukanoviqit, e cila akuzohet për spiunazh në dobi të Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës të Serbisë (BIA).
Në deklaratën e saj para trupit gjykues ajo nuk e pranoi fajësinë lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Mbrojtja e Gjukanoviqit kërkoi 30 ditë afat për mbledhjen e provave shtesë, por trupi gjykues, i udhëhequr nga Rrahman Beqiri, vendosi t’i japë 15 ditë afat, duke vlerësuar se kaq ditë janë të mjaftueshme për mbrojtjen.
“Brenda këtij afati do të kërkojmë hedhjen poshtë të aktakuzës dhe do të paraqesim prova kundërshtuese. Pastaj, do të shohim vendimin e gjykatësit”, tha avokati i Gjukanoviqit, Predrag Millkoviq, pas seancës.
Mbrojtja kërkoi gjithashtu që të akuzuarës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak. Avokati Millkoviq tha se mbrojtja është e gatshme të ofrojnë edhe dorëzani prej 15.000 eurosh.
Por, kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori special Bekim Kodraliu.
Gjatë leximit të aktakuzës, prokurori Kodraliu tha se Jellena Gjukanoviq, me informacionet e transmetuara tek Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), ka rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Ai tha se Gjukanoviq ka qenë në kontakt me dy zyrtarë të BIA-s: Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i agjencisë në rajonin e Novi Pazarit, dhe Lubisha Bukviq, zyrtar tjetër i kësaj agjencie.
“Me këtë të fundit, e pandehura është takuar disa herë në zyrat e BIA-s në Beograd”, theksoi ai.
Kodraliu tha se Gjukanoviq ka shfrytëzuar pozitën që mbante në OSBE, duke vepruar nën ndikimin e Aleksandar Vllajiqit, i dënuar tashmë për spiunazh, si edhe zyrtarëve të tjerë të BIA-s. Ai tha se nga kjo pozitë e akuzuara ka kontribuar në krijimin e një “narrativi armiqësor” ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Prokurori Kodraliu the se Gjukanoviq, përmes këtyre veprimeve të qëllimshme, e ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë e të qytetarëve të vendit si edhe të personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi është vepër e rëndë penale dhe dënohet me të paktën pesë vjet burg.
Gjukanoviq, nga Mitrovica Veriore, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës. Prej asaj dite ajo ndodhet në paraburgim.
Muajin e kaluar, edhe një serbe tjetër e Kosovës dhe partneri i saj kroat janë arrestuar në Kroaci, nën dyshimet për spiunazh në bobi të BIA-s.
Sipas raportimeve, kroati, i cili ka shërbyer në misionin e NATO-së në Kosovë, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij nga Kosova, të cilat ajo ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Gjatë muajve të fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar disa persona, serbë dhe shqiptarë, nën dyshimet për spiunim në shërbim të inteligjencës serbe.
Ekspertët vlerësojnë se këto raste tregojnë se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës.
(r.m.)