Sërish përleshje mes protestuesve dhe policisë në Iran

Teheran, 28 tetor 2022 – Protestuesit në Iran u përballën me forcat e sigurisë të premten në qytetin juglindor të Zahedanit, ku pas disa javësh trazirash dhe demonstratash të nxitura nga vdekja e një gruaje të arrestuar nga policia morale e vendit, vazhdon të rritet bilanci i viktimave.

Qyteti i Zahedanit, ku protestat fillimisht nisën pas akuzave për përdhunimin e një vajze nga një oficer policie, është bërë rajoni më vdekjeprurës i trazirave pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini.

Protestat mbarëkombëtare janë shtrirë në të gjithë Iranin, në mbi 125 qytete. Të paktën 270 njerëz janë vrarë dhe rreth 14.000 protestues janë arrestuar, sipas grupit të aktivistëve të të drejtave të njeriut në Iran.

Aktivistët vlerësojnë se vetëm në Zahedan, rreth 100 njerëz janë vrarë që nga tubimi i 30 shtatorit, që shkaktoi një reagim të dhunshëm të policisë.

Demonstratat janë bërë kërcënimi më i madh për qeverinë teokratike të vendit që nga demonstratat e “Lëvizjes së Gjelbër” të vitit 2009. Gratë vazhdojnë të heqin hixhabet e tyre gjatë protestave në rrugë ndërsa presioni ndërkombëtar rritet mbi qeverinë e Iranit për dhunën e ushtruar ndaj demonstruesve.

Videot e protestave të së premtes në Zahedan rreth xhamisë së Makkit tregojnë përdorimin e armëve të zjarrit. Pamjet e mëvonshme treguan njolla gjaku në oborrin e xhamisë, me aktivistët që thanë se dy persona ishin vrarë.

Autoritetet iraniane nuk u prononcuan mbi dhunën e së premtes në Zahedan, një qytet në provincën Sistan dhe Baluchistan të Iranit që ndodhet rreth 500 kilometra në juglindje të kryeqytetit të vendit, Teheranit.

(REL)