Beograd, 3 janar 2026 – Daniel Server, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në SHBA, në një intervistë me gazetën beogradase “Danas”, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksdandar Vuçiq, duket se e ka ofenduar Presidentin amerikan, Donald Trump, pasi ka dështuar plani I tij që dhëndrrit të Trumpit, Jared Kushner, t’ia shesë ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në Beograd. Por, ai ka thënë se kjo është gjë e mirë për Serbinë, pasi Vuçiq nuk do të mund të mashtrojnë më lidhur me sundimin e ligjit dhe demokracisë në Serbi.
“Nuk e di se cili është qëndrimi i Kushnerit, por Vuçiq duket se, në njëfarë mënyre, e ka ofenduar administratën Trump, gjë që, sipas mendimit tim, është gjë e mirë. Kjo do të thotë që Beogradi dhe Uashingtoni nuk munden, të paktën për momentin, t’ia shesin sundimin e ligjit dhe demokracinë ashtu siç ka bërë Uashington në pjesën më të madhe të botës”, ka thënë ai.
Në përgjigje të pyetjes lidhur me projektin “bota serbe”, i cili mbështetet nga Vuçiqi, Server ka thënë se ky projekt shpreh aspiratën për krijimin e Serbisë së Madhe dhe, si i tillë, përbën kërcënim për pjesën më të madhe të Ballkanit, sikurse në vitet 1990.
“Bota serbe është thjesht një formë e modernizuar e Serbisë së Madhe. Kjo do të thotë vdekje dhe shkatërrime në pjesën më të madhe të Ballkanit sot, ashtu siç ndodhi në vitet 1990. Gjithashtu, do t’i japë fund shpresave të Serbisë për anëtarësin në BE. Beogradi po e vë në pikëpyetje prosperitetin dhe sigurinë e qytetarëve të vet me qëllim që të shtrijë ndikimin e tij në vendet fqinje. Kjo nuk është ambicie që do të përfundojë mirë”, ka thënë ai.
Server është shprehur skeptik se protestat e studentëve mund të rezultojnë me ndryshim të qeverisjes në Serbi
“Protestat e studentëve mund të çojnë në një ndryshim të qeverisë në Serbi, por nuk e di nëse do ta bëjnë këtë. Presidenti Vuçiq është mjeshtër i manipulimit të protestave popullore: duke zëvendësuar një ministër aty-këtu, duke caktuar zgjedhje të reja, duke futur kuti votimi ose votues në zona të pavendosura, por pa e vënë në rrezik serioz pushtetin e tij”, ka thënë ai.
Server është shprehur kritik edhe lidhur me qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj regjimit autokratik të Vuçiqit.
“Nuk mendoj se dikush duhet të presë që Bashkimi Evropian ta mbajë anën e studentëve. Bashkimi Evropian duhet të qëndrojë pranë vlerave të veta, të cilat janë në kundërshtim me autokracinë në rritje në Serbi”, ka thënë ai.
“Dëshira për litium, varësia nga ‘stabiliteti’, madje edhe kundërshtimi ndaj ndikimit rus, janë dytësore, karshi rivendosjes së sundimit të ligjit dhe demokracisë në Serbi. Kjo është ajo që dikton vlerat dhe interesat evropiane”, është shprehur Server, ndër të tjera.
(r.m.)